Friday, February 26, 2021
Home Bota EU Zgjedhjet parlamentare në Kosovë

Zgjedhjet parlamentare në Kosovë

Skender Musliu

Shkruan Skender Musliu, Bruksel

Sa më shumë po afrohet 14 Shkurti, dita e zgjedhjeve, aq më tepër po rriten ethet elektorale te partitë që po frikohen nga rezultati negativ i bilancit të qeverisjeve të tyre. Ky nervozizëm në veçanti vërehet nga gjuha ofenduese dhe mesazhet e rrezikshme që ato përdorën gjatë parafushatës dhe tani gjatë fushatë zgjedhore, që fatkeqësisht po ndikon në elektrizimin e elektoratit duke krijuar armiqësi politike. Në këtë kontekst mund të përmendet vizita e Vjosa Osmanit dhe Albin Kurtit në Skenderaj, me ç’rast simpatizant të PDK-ës organizuan protesta kundër tyre, duke përdorur fyerje, sharje dhe hedhur me gurë. Në vend që të distancohej PDK-ja nga kjo ngjarje, kryetari i Degës së kësaj partie dënoi vizitën e Kurtit dhe Osmanit duke keqpërdorur bujarinë dhe mikpritjen e njohur të Drenicës.

Vlenë të theksohet se edhe kandidati për kryeministër nga PDK-ja, Enver Hoxhaj është përfshirë në këto ofendime duke thënë se edhe në mes të natës me e zgjuar do t’a fut në xhep të pixhamës Albin Kurtin, ose deputetja Ganimete Musliu ofendon rënde Albin Kurtin duke e quajtur psikopat. Kjo gjuhë denigruese të dy personaliteteve të larta të PDK-ës, e degradon debatin dhe ulë seriozitetin e kësaj partie.

Po ashtu sloganet e PDK-ës se neve jemi vazhdimësia dhe shtëpia e UÇK-ës ose kush është me UÇK-ën duhet t’a votojë PDK-ën, nuk qëndrojnë, sepse UÇK-ja ka qenë populli e jo individët, kurse populli nuk është PDK-ja, prandaj nuk është e moralshme që UÇK-ja të uzurpohet dhe keqpërdoret për qëllime politike.

Fatkeqësisht duke u thirrur në UÇK-ën, kryesisht ata të PDK-ës nga shteti kanë blerë tokë me nga 1,2,3…… euro arin dhe po të njejtën tokë ia kanë shitur shtetit deri në 7 mijë euro arin duke shndërruar asetet e popullit në plaçkë lufte.
Është interesant kur ndëgjojmë Enver Hoxhaj duke thënë se vetëm PDK-ja mund dhe din të qeverisë me Kosovën dhe se ata do t’a luftojnë korrupsionin dhe krimin e organizuar, mirëpo ai po harron se pikërisht PDK-ja është partia që më së shumti ka qeverisur dhe se në opinion ajo është sinonim i korrupsionit.

Edhe LDK-ja nuk është larg këtyre ofendimeve, e sidomos ndaj Vjosa Osmanit që ata vet e përjashtuan nga partia, dhe tani derdhin lot krokodili se ajo i është bashkuar Listës së LVV-ës. Madje Isa Mustafa i cili e organizoi dhe orkestroi përjashtimin e saj, thot se ajo ka thye qafën nga LDK-ja, po aq brutal dhe arrogant janë edhe Agim Veliu, Lufi Haziri……

Sikur LDK-ja t’i kishte mbajtur premtimet zgjedhore të 06 Tetorit 2019, ajo ende sot do të ishte në bashkqeverisje me LVV-ën, por duke tradhtuar dhe manipuluar votën e qytetarit ajo bëri aleance me Hashim Thaqin dhe rrëzuan Qeverinë Kurti. Kurse tani, se me çfar programi dhe premtime ajo do të garojë po shifet, por një është e sigurtë, se ky lidership nuk do të ndryshojë, do të vazhdojë, sikurse gjer më tani, të manipulojë me votat e elektoratit duke bërë pazare politike për interesat e tyre, e jo të qytretarëve.

Elektorati duhet t’a dijë, se kjo LDK-ë nuk është ajo e Ibrahim Rugovës, por është një LDK-ë ku lidershipi është i kriminalizuar, partia e privatizuar, uzurpuar dhe kidnapuar nga njerëz që vetëm e plaçkitën shtetin dhe nuk i dhanë asgjë.

Por e gjithë kjo bëhet në mungesë të Programeve partiake dhe vizionit, prandaj debati zhvillohet në nivel personal dhe me premtime që nuk mund t’i realizojnë. E njejta gjuhë përdoret edhe mes Nismës Social Demokrate dhe PDK-ës me akuza dhe denigrime reciproke.

Për momentin më korrekt janë LVV-ja dhe AAK-ja.

Opinioni nuk duhet të harroj se partitë që qeverisën gjatë dy dekadave formuan « Zajednicën », miratuan Ligjin mbi Demarkacionin, formuan Gjykatën Speciale, nuk u liberalizuan vizat dhe jo vetëm që nuk luftuan korrupcionin dhe krimin e organizuar, por ato u bënë pjesë e pandashme e tyre.

Po ashtu, në vigjile të zgjedhjeve, duhet përkujtuar elektoratit, pothuajse në të githa Raportet e Këshillit të Europës, të Departamentit Amerikan të Shtetit dhe shumë organizatave të pavarura ndërkombëtare, Kosovën e trajtojnë ndër shtetet më të korruptuara dhe me Drejtësi të kapur nga politika.

Mafia urbane – e ndërtimit, mafia e tokave, mafia e privatizimit, afera Pronto… e kanë një emër, që quhet mafia politike të cilën e krijuan dhe dirigjuan politikanët që qeverisën për dy dekada.

http://mifmedia.com

Disa parti në fushatë deklartojnë se nëse fiton Albin Kurti, ai do t’a sjell Serbinë dhe Rusinë në Kosovë, mirëpo ata po harrojnë se pikërisht vet ata e kanë sjellë Serbinë në Kosovë duke i përfshirë « rojet e urës » dhe strukturat paralele serbe të lidhur me krimin e organizuar nëpër institucionet e Kosovës dhe i kanë institucionalizuar në pjesën Veriore të Mitrovicës dhe Kosovës.

Vlenë të theksohet se politikanët e PDK-ës thirren në emër të UÇK-ës kurse ata të LDK-ës thirren në emër të Ibrahim Rugovës, por edhe njëra edhe tjetra nuk janë në linjën as të UÇK-ës e as të Rugovës, sepse për dy dekada pikërisht këto dy parti, dhe jo vetëm, kanë vepruar kundër vlerave të UÇK-ës dhe Ibrahim Rugovës, ngase kjo ka qenë mënyra më e mirë për t’a manipuluar popullin dhe instaluar nepotizmin, korrupsionin dhe krimin e organizuar.

Por është përshtypje e përgjithshme se institucionet e Kosovës për dy dekada nuk kanë qenë të qeverisura nga disa partitë politike, por ato kanë qenë të pushtuara dhe të dhunuara.

Prandaj elektorati me 14 Shkurt duhet të përcaktohet, a është për keqqeverisjen e kaluar të Baronëve të Fondit « Vendlindja thërret » dhe Fondit të « 3 % », apo për një qeverisje ndryshe !?.

Në popull dhe sondazhe po vërehet një entuziazëm i madh për partinë e LVV dhe Listën e Vjosa Osmanit të cilët premtojnë luftën kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar, për çkapjen e shtetit dhe ndërtimin e institucioneve të mirëfillta, prandaj duhet t’ju jepet mundësia t’a bëjnë këtë.

Partive politike që ishin në skenën politike gjer më tani ua pamë marifetin, tani duhet të sprovohen forca tjera me energji të re.

Bruksel, 09 Shkurt 2021 Skender Musliu, jurist i diplomuar

Most Popular

Recent Comments