Friday, January 22, 2021
Home KRYESORE Zajednica sot 5 vjet!

Zajednica sot 5 vjet!

Levizja Vetëvendosje sot mbajti konferencë për shtyp me temën Zajednica, bashkësia e Komunave me shumicë Serbe, duke na përkujtuar se brenda territorit të Kosovës ishte nënshkruar para 5 vitesh të formohej një bashkësi komunash Serbe e cila sipas 23 pikave të Kushtetutës së Kosovës është subjekt anti-kushtetues.

isa Mustafa

Këtë marreveshje të dëmshme e kishte nënshkruar kryeministri i athershëm Isa Mustafa.

Për më shumë ndiqeni konferencën e mbajtur nga Glauk Konjufca Vetëvendosje.

5 vjetori i nënshkrimit të 'Zajednicës'

Me një kryeministër “kukull” si Hoti nuk duhet të zhvillohen negociatat me SerbinëMe rastin e 5 vjetorit të nënshkrimit të ‘Zajednicës’, Lëvizja VETËVENDOSJE! organizoi një konferencë për media. Aty, anëtari i kryesisë Glauk Konjufca foli për rrezikun e asaj që po quhet ‘fazë finale’ e dialogut me Serbinë. Janë dy lloje të politikanëve, ata të LDK-së që janë që janë pro ‘Zajednicës’ dhe ata të PAN-it, që janë pro shkëmbimit territorial që përmes një kryeministri “kukull" po ja mësyjnë tavolinës së negociatave, tha Konjufca, i cili tutje theksoi se Lëvizja VETËVENDOSJE! i kundërshton të dyja këto projekte pasi ato të dyja kanë për rezultat përfundimtar ndarjen e Kosovës, ndarjen e shtetit tonë. Lëvizja VETËVENDOSJE! është po ashtu kundër arritjes të çfarëdolloj marrëveshje që quhet ‘finale’ me Serbinë pa u organizuar zgjedhjet e reja që e japin edhe një qeveri me legjitimitet të plotë për të qeverisur me vendin. Më poshtë e gjeni fjalën e plotë të Glauk Konjufcës. Të nderuar gazetare e gazetar mirë se keni ardhë në Lëvizjen VETËVENDOSJE! për ta përcjellë këtë konferencë që ka marr shkas nga dita e 5 vjetorit të ‘Zajednicës’, pra u bënë 5 vjet prej kur u nënshkrua kjo marrëveshje në vitin 2015 dhe në të cilën nënshkrimin e pat hedhur kryeministri i atëhershëm Isa Mustafa.Fatmirësisht marrëveshja për ‘Zajednicën’ u hodh poshtë prej Gjykatës Kushtetuese të Republikës së Kosovës meqë në 23 pika të saj u shpall antikushtetuese. Pra, në disharmoni të plotë me Kushtetutën e Republikës së Kosovës por për shoqërinë tonë, për shtetin tonë, për popullin tonë ka qenë shumë tronditëse, se deri në cilën pikë janë të gatshëm të shkojnë kryeministri i atëhershëm dhe politikanët e Kosovës që e përfaqësonin Kosovën në atë kohë. Pra, për ta nuk ishte kurrfarë problemi sovraniteti i Kosovës, integriteti, shtetësia jonë, pavarësia e shpallur dhe e nënshkruan këtë marrëveshje të dëmshme.Pse po ja kushtojmë këtë konferencë shtypi pikërisht këtij projekti të rrezikshëm për Kosovën është fakti që në vend që të shpallej e vdekur ‘Zajednica’ menjëherë pas vendimit të Gjykatës Kushtetuese, ajo më duket që është më aktuale se kurrë tash kur jemi në prag të asaj që po quhet faza finale e dialogut me Serbinë. Meqenëse fatkeqësisht në LDK dhe partitë e PAN-it janë vetëm dy lloj të politikanëve, politikanë të cilët janë pro ‘Zajednicës’ dhe politikanë që janë pro shkëmbimit të territoreve, pra vetëm këto dy projekte janë në tavolinën e negociatave. Prandaj duhet të ngrisim këtë çështje meqenëse është vetëm Lëvizja VETËVENDOSJE! ajo e cila i refuzon dhe i kundërshton të dyja.Lëvizja VETËVENDOSJE! mendon që edhe ‘Zajednica’, edhe projekti i ‘Zajednicës’ edhe projekti i shkëmbimit të territoreve duhet të kundërshtoheshin prej Qeverisë së Kosovës, prej institucioneve të Kosovës, prej çdo përfaqësuesi i cili shkon dhe në dialog me Serbinë e përfaqëson Kosovën.Po mendojmë kështu meqenëse edhe shkëmbimi i territoreve edhe ‘Zajednica’ janë sinonime të ndarjes së Kosovës, të dyja, pra rezultatin përfundimtar e kanë ndarjen e shtetit tonë.Shkëmbimi i territoreve është njëfarë lloj eufemizmi për prerjen kirurgjike të pjesës së veriut të Kosovës deri te Lumi Ibër, kurse ‘Zajednica’ është sinonim i krijimit të një entiteti territorial të Serbisë, i cili do të kontrollohej prej Serbisë, do të financohej prej Serbisë, dhe i cili për disa vite kështu do të shkëputej dalëngadalë nga Kosova, pra ‘Zajednica’ është njëfarë lloj bosnjëzimi i Kosovës.Serbia duhet të kundërshtohet përmes vendosjes së një konsensusi të brendshëm, brenda forcave politike në Kosovë, i cili konsensus konsideron që edhe ‘Zajednica’ si projekt edhe shkëmbimi i territoreve janë shkelje e vijave të kuqe të interesit kombëtar dhe të interesit shtetëror të Republikës së Kosovës. Vizioni jonë është që serbët e Kosovës duhet të jetojnë nëpër komunat e tyre, të cilat janë krijuar dhe çdo përpjekje që të shkohet përtej kësaj dhe që në Kosovë të krijohet një lloj pushteti i ri, një lloj pushteti të tretë i cili pra është pushtet i mesëm mes atij qendror i cili ushtrohet nga qeveria dhe nga ministritë, dhe atij lokal i cili ushtrohet nga komunat do të ishte fatal për integritetin e Republikës së Kosovës.Siç e dini ju, projekti për ndarjen e Kosovës nuk është i djeshëm, është i moçëm, Serbia ka pas plan për ta nda Kosovën edhe sa ishte në okupim gjatë viteve të 90-ta, p.sh akademiku serb Dobrica Cosiqi ia kishte propozuar një plan Millosheviqit që ta ndajë Kosovën edhe gjatë viteve të 90-ta, por në vitin 2004 ndarja na erdhi përmes një emri tjetër i cili ishte “decentralizimi i Kosovës” dhe këtë plan e kishte shty përpara sidomos Lutfi Haziri në vitin 2004, atëherë “quhej pilot projekt” për krijimin e komunave të reja me shumicë serbe dhe të banuar nga serbët, dhe ky projekt erdhi pas ngjarjeve të marsit të vitit 2004. Mirëpo ky prezantohej si një plan autentik i Kosovës, si një plan vendor, ky decentralizimi etnik, por gjithçka u bë e qartë që është plan i Serbisë, kur këtë kërkesë e parashtrojë Serbia në negociatat e Vjenës në vitin 2006, pra kërkonte decentralizim etnik për serbët e Kosovës. Pra nuk kishte të bënte fare me planet e Kosovës, ishte pikërisht siç thoshte Lëvizja VETËVENDOSJE!, që kjo ishte kërkesë e Serbisë që fillimisht të ndahen serbët nga shqiptarët, të krijohet hapësirë e veçantë politike përbrenda Kosovës e pastaj Serbia dalëngadalë të kalojë në fazën e dytë, pasi e arriti fazën e parë e që ishte krijimi i gjashtë komunave të reja serbe me negociatat e Vjenës të vitit 2006-2007. Tash Serbia ka kaluar në fazën tjetër, në fazën e dytë të ekzekutimit të këtij plani e që është bashkimi i këtyre komunave në ‘Zajednicë’, në projektin e’ Zajednicës’ i cili natyrisht që do të ishte krijimi i një lloj Republikë Serbe siç është në Bosnje dhe të cilin e kontrollojnë dhe natyrisht përmes kësaj do ta kontrollonin Kosovën, do ta destabilizonin Kosovën e kështu me radhë. Tash kur të gjithë po thonë do të ndodhë, është shumë afër të ndodhë faza finale e procesit të dialogut me Serbinë, është shumë shqetësuese që politikanët e Kosovës i kanë në gojë vetëm dy projekte, ose ‘Zajednicë’ ose shkëmbim i territoreve.Lëvizja VETËVENDOSJE! mendon që kjo është një gjendje shume e pa favorshme për pozicionin politik të Kosovës.Ne mendojmë që së pari faza finale e dialogut me Serbinë nuk është fare mirë të ndodhë në këto kushte në të cilën ndodhet tash Kosova, pra nuk është mirë të ndodhë me një qeveri e cila nuk ka fare legjitimitet, e ka shumicën shumë të brishtë në Kuvendin e Kosovës, bile duke mos e ditur a e ka apo nuk e ka pas asaj që ndodhi me Haxhi Shalën dhe me deputetin Arifi i cili le të themi u dënua nga Gjykata, numrat e kësaj qeverie në Kuvendin e Kosovës janë shumë të dyshimtë. Më kujtohet kur ishim kolegë me z. Avdullah Hoti si shefa të grupeve parlamentare ne i shkruanim letra ndërkombëtarëve dhe përfaqësuesve të Brukselit dhe Ëashingtonit se si të mos e hapin fazën finale të dialogut me Serbinë me kryeministrin e atëhershëm Haradinaj i cili i kishte po kështu numrat, siç i ka Avdullah Hoti tash në Kuvend të Kosovës. Kështu që kjo hipokrizi nuk i bënë fare mirë Kosovës, përkundrazi ne mendojmë që një kryeministër kukull siç është Avdullah Hoti fare nuk duhet të kemi negociata me Serbinë për marrëveshjen përfundimtare me këtë shtet armiqësor, i cili është kundër Kosovës dhe me atë që po e shohim, pra përmes kësaj metode të anashkalimit total të Kuvendit të Republikës së Kosovës. Kur e patëm shkruar programin e qeverisë Kurti së bashku me LDK-në, ata u patën pajtuar që të mos ketë ecje përpara për dialogun me Serbinë dhe fazën finale të dialogut pa i arritur dy gjëra shumë të rëndësishme, platformën, e cila do të duhej shkruar dhe ekipin – të dyja këto të votuara me 2/3 në Kuvendin e Kosovës. Tash çka po shohim është një qeveri e cila jo vetëm që është pa legjitimitet politik, por e cila ka ardhë deri në pikën ku dëshiron ta përmbyllë këtë fazë pa Kuvendin, ku vetëm kryeministri shkon atje, pra ne nuk e dimë çka përfaqëson ai, ne nuk e dimë se çka e obligon atë se çka duhet të mbrojë e çka mos të mbrojë, mbi çka nuk duhet të bëjë fare kompromis, e mbi cilat vija ka të drejtë të bëjë kompromis sepse nuk ka asnjë dokument të votuar në Kuvendin e Republikës së Kosovës, nuk ka as ekip të votuar në Kuvendin e Republikës së Kosovës, as me 61 vota e lëre më me 2/3 siç mendonim ne në qeverinë e themeluar në muajin shkurt.Pra, kemi të bëjmë me një qeveri e cila përveç kësaj që e thashë nuk e ka as minimumin e koordinimit dhe unitetit të brendshëm dhe kjo është fatale për Kosovën nëse përfaqësohemi kështu.Pra e kemi një kryeministër i cili shkon atje, bisedon me homologun e tij serb dhe del e revoltuar ministrja e punëve të jashtme e thotë se nuk e di fare se çka është fole në atë takim. Pra kemi një situatë në të cilën kryeministri dhe ministri i punëve të jashtme janë totalisht të çakorduar sa i përket asaj çka flitet, çka mbrohet atje, çka përfaqësohet atje prej anës tonë dhe çka pranohet dhe nuk pranohet në fund të fundit. Kjo na shtynë të bëjmë thirrje që në këtë fazë në të cilën ndodhen edhe ShBA-të si partneri më i fuqishëm, si shteti që e ka ndihmuar më së shumti pavarësinë e Kosovën, pra pak para zgjedhjeve në ShBA, në anën tjetër prej disa zgjedhjeve ku ka dal pushteti i Vuqiçit por zgjedhje shumë të kontestuara në Serbi sa i përket legjitimitetit të mospjesëmarrjes të opozitës atje e kështu me radhë.Me një president i cili faktikisht ne Kosovë po përballet me aktakuza nga Gjykata Speciale, por në anën tjetër ka qenë proponent i idesë së shkëmbimit të territoreve, në anën tjetër me një qeveri e cila faktikisht ja vodhi pushtetin fituesit të zgjedhjeve, Lëvizjes VETËVENDOSJE!, ne besojmë që nuk është mirë që të shkohet në një fazë të përmbylljes, me një marrëveshje finale me Serbinë sepse është vendim shumë i rëndësishëm, i cili nuk mund të arrihet pa një konsensus dhe pa një qeveri të fuqishme, e cila del drejtpërdrejt nga populli. Kështu që, ne konsiderojmë që pa u mbajt zgjedhjet e reja në Kosovë, të cilat do të ja jepnin legjitimitetin e vërtet përfaqësuesve të popullit të cilët në Kuvend e zgjedhin qeverinë e re, të plotfuqishme dhe plotësisht legjitime të Republikës së Kosovës, këto të gjitha mund të jenë jo vetëm eksperimente që po bëhen shumë shpejt, por mund të jenë edhe me pasoja fatale, të parikuperueshme për shtetin e Kosovës në të ardhmen.

Posted by Lëvizja VETËVENDOSJE! on Tuesday, August 25, 2020

Most Popular

Recent Comments