Tuesday, June 15, 2021
spot_img
HomeBotaEUSulmohet nga Mediat Kosovare iniciativa Du Me Votu

Sulmohet nga Mediat Kosovare iniciativa Du Me Votu

Reagim pas sulmeve përmes publikimeve të lajmeve të rreme nga portalet “Indeksonline”, “Kosovapress”, “Klan Kosova”, “T7“, etj.

Shoqata jonë është informuar që portali “Indeksonline” ka publikuar emrin e nismës sonë. Në atë publikim theksohet që Komisioni Qendror i Zgjedhjeve (KQZ) ka reaguar ndaj kësaj nisme duke thënë se kjo platformë është e paautorizuar, në kundërshtim me ligjin dhe dëmton integritetin e procesit zgjedhor. Më pastaj, shumë prej portaleve të tjera e kanë shpërndarë atë lajm të rremë. Asnjë portal nuk na kontaktoj dhe nuk është bërë asnjë hulumtim siç e parasheh etika e gazetarisë.

Ky lajm nuk është vërtetuar askund. KQZ-ja nuk ka bërë asnjë reagim zyrtar deri më tani.

Portali “Indeksonline” ka publikuar po ashtu profilet e Facebook-ut të dy personave që shfaqin logon “Du Me Votu” dhe në këtë mënyrë ka shkelur të drejtën e privatësisë dhe integritetit të personalitetit sipas nenit 164 të Kodit civil të Republikë së Kosovës.

Edhe pse këto lajme nuk janë të vërteta, shoqata jonë dëshiron të reagojë ndaj këtyre sulmeve që synojnë ta diskreditojnë atë.

Fillimisht, ia vlen të theksohet se kjo shoqatë pajtohet me nenin 60 dhe nenë të tjerë në vijim të Kodit civil zviceran. Qëllimi i kësaj shoqate është promovimi i pjesëmarrjes politike. Prandaj qëllimi në planin afatgjatë është përmirësimi i dukshmërisë, transparencës dhe shkëmbimit të informacioneve lidhur me politikën në Kosovë. Kjo është një iniciativë qytetare, apartiake dhe jo-fitimprurëse, e cila synon të përmirësojë pjesëmarrjen e drejtpërdrejtë në demokraci dhe është në përputhshmëri të plotë me nenin 45 pika 3 të Kushtetutës së Republikës së Kosovës sipas të cilit, “institucionet shtetërore mbështesin mundësitë për pjesëmarrjen e çdonjërit në aktivitete publike dhe të drejtën e secilit për të ndikuar në mënyrë demokratike në vendimet e organeve politike”. Aktualisht, Kosova po hyn në një garë të re elektorale dhe Komisioni Qendror i Zgjedhjeve të Kosovës (KQZ-ja) ka vendosur një afat për aplikimin në listën zgjedhore për diasporën. Ky afat është caktuar nga 13 deri më 21 janar 2021.

Duke pasur parasysh kompleksitetin e procesit të aplikimit për diasporën dhe mungesën e informacioneve nga organet shtetërore lidhur me këtë proces, kemi marrë iniciativën të ndihmojmë në këtë proces.

Mënyra se si ndihmojmë në këtë proces është e thjeshtë dhe nuk bie në kundërshtim me asnjë ligj. Përmes kësaj platforme, ne mbështesim vetëm hapat e parë dhe lehtësojmë shkarkimin e formularit. Në asnjë mënyrë nuk duhen regjistruar informacionet e ndjeshme sikur numri personal i pasaportës, data e lindjes ose nënshkrimi. Ato duhet të plotësohen me dorë pas shkarkimit dhe shtypjes së formularit. Po ashtu, duke u bazuar në ligjet zvicerane dhe statutet e shoqatës Du Me Votu, të dhënat nuk mund të ndahen në asnjë rastë me një palë të tretë. Kjo platformë është vetëm një mjet lehtësues për plotësimin e formularëve të aplikimit, nuk është në asnjë mënyrë mundësi alternative për regjistrim. Për shkak se përdoruesi, për të votuar, detyrimisht duhet të printojë formularin e gjeneruar në format PDF dhe më pas ta dërgojë KQZ përmes email adresës personale, nuk ka ndërhyrje në proces.

Këto portale po ashtu akuzojnë shoqatën si të dyshimtë sepse kërkon donacione. Fillimisht, duhet të sqarohet që platforma jonë për përdoruesit është pa pagesë. Programimi i platformës është bërë nga një kompani profesionale zvicerane, e cila punon sipas standardeve më të larta botërore sa i përketë sigurisë kibernetike. Meqenëse është bërë nga një kompani profesionale dhe e besueshme në Zvicër, kjo shkaktoi kosto të larta për ne. Për t’i mbuluar ato kosto të larta, na nevojiten pra donacione, sidomos duke marrë parasysh që shoqata jonë është e përbërë nga studentë me resurse financiare të kufizuara. Ia vlen t’iu rikujtojmë këtyre portaleve bazat e një demokracie pjesëmarrëse. Du Me Votu është një nismë qytetare, e krijuar nga studentë shqiptarë në Evropë. Në të gjitha vendet demokratike, ekzistojnë iniciativa qytetare të cilat kërkojnë donacione. Kjo është tërësisht e ligjshme sepse donacionet e ndihmojnë funksionimin e demokracisë. Qëllimi është pjesëmarrja e qytetarëve e cila është, mbi të gjitha, një aspekt i dialogut midis institucioneve dhe komuniteteve shoqërore që çon në vendime që krijojnë kapital shoqëror.

Sinqerisht,
Shoqata Du Me Votu

Zürich, 15.01.2021

spot_img

Most Popular

Recent Comments