Saturday, July 31, 2021
spot_img
HomeKRYESOREShpend Ahmeti: Qendra e Mjekësisë Familjare në Veternik do të finalizohet deri...

Shpend Ahmeti: Qendra e Mjekësisë Familjare në Veternik do të finalizohet deri në fund të këtij viti

Kryetari i Komunës së Prishtinës z. Shpend Ahmeti së bashku me drejtorin e Shëndetësisë z. Bujar Gashi, vizituan svend-punishten në rrugën “Kujtim Laro” të lagjes Veternik, ku po ndërtohet Qendra e parë e Mjekësisë Familjare për këtë zonë.  

Kryetari Shpend Ahmeti, me rastin e vizitës në vend-punishte bëri të ditur se kjo Qendër e Mjekësisë Familjare do të ofrojë të gjitha shërbimet sikurse qendrat e tjera në kryeqytet dhe pritet të finalizohet deri në fund të këtij viti, duke zgjeruar rrjetin e qendrave që ofrojnë shërbime publike shëndetësore në Prishtinë.

“Me këtë Qendër zgjerohet rrjeti i shërbimeve shëndetësore publike në Prishtinën e re. Qendra pritet të përfundojë deri në fund të vitit, si dhe do të mbulojë të gjitha shërbimet që përfshinë mjekësia familjare përfshirë laboratorin dhe biokiminë”, ka thënë kryetari Ahmeti. Kryetari ka theksuar tutje se investimet në shëndetësinë publike përgjatë dy mandateve të qeverisjes, kanë reformuar sistemin dhe garantuar qasje më të madhe të qytetarëve të Prishtinës në shërbime publike shëndetësore, që janë esenciale për qytetarët.  

“Jemi konkurrues edhe me sektorin privat, ofrojmë të gjitha shërbimet, jemi Komuna e vetme që ofrojmë një gamë të testeve edhe laboratorike, shumë shpesh duke mbuluar edhe hapësirat që kalon Ministria e Shëndetësisë. Së fundmi e kemi pasur edhe mungesën e Insulinës e cila është pjesë e listës së barnave esenciale dhe që është jetike meqë diabeti nuk pret dhe është dashur që t’i prokurojmë vet. Po e them se jam i lumtur sepse shëndetësia publike dhe shëndeti publik është kryesor dhe ne kemi investuar në këtë drejtim. Njerëzit që kanë para kërkojnë shërbime në sektorin privat dhe i marrin shërbimet, por ajo është pjesa më e vogël e popullatës ndërsa pjesa më e madhe e popullatës bazohet në shëndetësi publike. Përderisa në mandatin e parë kemi punuar më tepër në infrastrukturën fizike, unë mendoj që testi kryesor për neve ka qenë pandemia kur e kemi pa që në shumicën e rasteve jo që nuk kemi dështuar por po e them ju kemi ofruar edhe shërbime të tjera, qoftë me infuzione në laborator që njerëzit me COVID mos të shkojnë në QKUK, e deri te testet serologjike pa pagesë”, ka thënë kryetari Ahmeti. Komuna e Prishtinës po ashtu, është institucioni i vetëm publik që ka realizuar edhe tre studime sa i përket seroprevalencës së qytetarëve, punonjësve shëndetësor dhe punonjësve komunal të Prishtinës me COVID -19.

“Shëndetësia është e sigurtë pa marrë parasysh se çka ndodh në zgjedhje sepse trashëgohet një sistem i mirë, duke falënderuar edhe mjekët dhe personelin që me kushtet që kemi ofruar po bëjnë punë të mrekullueshme”, ka thënë kryetari Ahmeti.

Qendra e Mjekësisë Familjare në zonën perëndimore në lagjen Veternik, është projekti i financuar nga Komuna e Prishtinës dhe ka qenë i gatshëm që nga viti 2019. Projekti arrin vlerën e 463, 318 eurove. Kjo qendër do të ju shërbejë afro 20 mijë banorëve të lagjes Veternik me ç ‘rast do të lehtësohet qasja e tyre në shërbimet shëndetësore.

Gjatë inspektimeve të punimeve i pranishëm ishte edhe drejtori i Shëndetësisë në Komunën e Prishtinës, z. Bujar Gashi i cili ndër të tjerash bëri të ditur se që nga java e ardhshme, Prishtina do të nis edhe testet e hormoneve si: T3, T4, TSH, PSA. Këto teste do të realizohen në Qendrën Kryesore të Mjekësisë Familjare.

spot_img

Most Popular

Recent Comments