Friday, September 18, 2020
Home KRYESORE Sami Repishti: Me nji mik si Joe Biden në Shtepinë e Bardhë...

Sami Repishti: Me nji mik si Joe Biden në Shtepinë e Bardhë e ardhmja e Kosovës ashtë e sigurtë!

Shkruan: Sami Repishti PhD

Ridgefield, CT.- Kontaktet e shumëzueme, distancat e pakësueme, nevoja jetësore për shkembime, ndihma dhe bashkëpunim kanë ba sot botën tonë nji konglomerat të ndërlidhun ngushtë njeni me tjetrin. Para nji gjendje të këtill, çdo popull studjon të kaluemen historike, vlerëson të tashmen e dëshirueme ose jo, dhe planifikon për nji të ardhme që pershtatet interesave jetësore të tij. Nji nga elementët e kësaj perspektive ashtë edhe zgjedhja e “aleatëve”, popuj me të cilët komunikojmë ma mire, ndjehemi ma afër e dëshirojmë të mbetemi afër njeni-tjetrit edhe në të ardhmen, sidomos në situata të vështira.Kështu ngjet edhe me popullin shqiptar në të dy anët e kufinit arbitrar shtetnor që na ndanë sot në dy pjesë: Shqipëria Prendimore dhe Shqipëria Lindore, në kuptimin gjeografik gjinden sot në nji situatë të padëshirueshme dhe që shpresohet se në kondita ma të favorëshme kjo “situatë” mund të reparohet pa dhunë dhe përfundimisht. Kështu shoh unë të ardhmen e popullit shqiptar, dhe për këte vizion, ndoshta të largët, punoj çdo herë që më paraqitet rasti.Zgjedhjet e ardhme në SHBA, 3 nandor 2020, janë nji rast i këtill Në krye të shtetit amerikan, shpresohet të vij nji figurë politike e nivelit të naltë, i nderuemi ish N/Presidenti i Amerikës, Joseph R. Biden, Jr., nji personalitet politik, karriera e të cilit fillon që në moshën 28 vjeçare si anëtar i Kongresit Amerikan dhe besohet të arrijë kulmin në moshen 74 vjeçare me zgjedhjen e tij President i Amerikës, në votimet e 3 nandorit 2020.Për ne shqiptarët, nji ngjarje e këtill ashtë shumë e dëshirueshme sepse kemi të bajmë me nji personalitet të aftë e profesional që njeh mirë edhe problemin tonë në Ballkan. Dhe këte, ai e ka thanë ma shumë se nji herë.Në nji fjalim të mbajtun në Hotel Sheraton, N.Y.C., me 28 prill 2002, ish Senatori Joseph R.Biden, Jr., në prezencën bi-partiake Kongresmen Tom Lantos (D.,Ca.) dhe Kongresmen Benjamin Gilman (R.,N.Y.) dhe të ftuemëve shqiptarë: i ndjeri Pjetër Årbnori (Shqipëri), Ramush Haradinaj (Kosovë) dhe i ndjeri Arben Xhaferi (Maqedonia e Veriut), ai deklaroi:” ….

Interesat e qarta të vetë Shteteve të Bashkueme të Amerikes gjatë shekullit 21 fillojnë me nji Europë të pandame, të plotë, dhe të bashkueme, sepse ‘ kurdoherë që Europa zbret ne kaos’ bijtë e bijat tona vdesin, ekonomia e jonë dobësohet, dhe na paguejmë çmimin që kerkohet. Të paisun me kulturë, histori, dhe prirje natyrore të përbashkët, na jemi të pa aftë me u largue prej saj, dhe prej asaj që ngjet në Europë. Fati i shtatë miljonë shqiptarëve në Gadishullin Ballkanik ashtë gjithashu kritik për interesat e vetë Amerikës. Në se legjitimiteti etnik i popullit shqiptar nuk do të njihet dhe nuk do të mbrohet, të gjitha njësitë që përbajnë atë regjon do të bijnë, dhe në se ne nuk jemi gati me stabilizue Ballkanin, jemi na, Amerikanët, që do e paguejmë shtrenjtë!” (Panorama,26.III.2020)Pak ditë para këtij takimi, unë pata nderin me deshmue para Komitetit Senatorial që kryesonte i nderuemi Senator Biden. Në fund të dëshmisë, ai më ftoi të afrohem te tryeza. Në nji bisedë 2-3 minutash, Senatori Biden më pyeti: “Doktor, më thuej pse të gjitha këto probleme në Ballkan?”Unë pergjegja me bindje: “Senator! Serbia ashtë nji shtet militarist që në esencë drejtohet nga klasa militariste e dehun nga sukseset e luftave të kalueme, dhe e vendosun me ripërtri lavdinë e perandorisë së shekullit 14, të carit Stefan Dushan. Asnji nga shtetet që rrethojnë Serbinë nuk përban nji kërcenim për Serbinë; të gjitha këto shtete jetojnë me frikën se nji ditë mund të jenë viktima të nji sulmi të pa provokuem serb.” Senatori më falënderoj dhe u largue.Në votimet e përgjithëshme të nandorit 2006, unë urova fitoren e tij elektorale:’I nderuemi Senator Joseph R. Biden, Jr. Urimet e mia ma të mira për nji fitore bindëse të Partise Demokratike në zgjedhjet e fundit. Koha kërkonte ndryshime, dhe populli amerikan u shpreh me za të naltë.Tue pasë parasyshë eksperiencën dhe profesionalizmin që ju keni tregue për dekada me rradhë në fushen e të drejtave të njeriut dhe sherbimin tuej në Senatin Amerikan ashtë e arsyeshme që na të presim ardhjen tuej në pozitën e kryetarit të Komitetit Senatorial për Punët e Jashtëme, në legjislaturën e re. (Ashtu ngjau!)Unë kam ndjekë veprimtarinë tuej në fushën për të drejtat e njeriut gjatë viteve të sherbimit tuej, dhe veçanërisht të drejtat e njeriut për popullsinë shqiptare në ish-Jugosllavi. Si nji ish i burgosun politik, unë jam i bindun se nën udhëheqjen tuej, ky aspekt i politikës amerikane do të forcohet për të mirën e të gjithë atyne që kanë kaq shumë nevojë. Sinqerisht i jueji, …..”Me 17 shkurt 2008, Kuvendi i Republikës së Kosovës shpalli pavarësinë e Kosovës, shtet i lirë, sovran, dhe demokratik, në mes të nji entuziasmi të panjohun ma parë, Reagimi i botës së jashtëme ka njohë dy qendrimet e mundëshme: pozitive, nën udhëheqjen e Shteteve të Bashkueme, dhe negative nën influencën ruse e kineze, pa marrë parasyshë qendrimin obstruksionist të qeverive te ndryshme serbe, qendrim që vazhdon edhe sot me nji fushatë të egër diplomatike për mosnjohjen e pavarësisë së Kosovës, ose tërheqjen e saj nga ata që fillimisht e njohën. Në këte periudhë jashtëzakonisht delikate për Kosovën, Shtetet e Bashkueme ndërmorren inisiativen me mbrojtë pavarësinë, dhe për këte qellim, Kongresi amerikan organizoi nji “Hearings” vetëm tri javë mbas shpalljes zyrtare në Prishtinë. Personaliteti që kryesoi këte séancë ka qenë i nderuemi Senator Joseph R. Biden, Jr. kryetar i Komitetit Senatorial për Punët e Jashtëme, i cili e cilësoi gjendjen me fjalinë monumentale: “Pavarësia e Kosovës ashtë nji piramidë udhë-rrëfyese në rrugën për nji të ardhme paqësore dhe prosperitet”.Nji element inkurajues për nji ndërmarrje të këtill ka qenë edhe lobimi i bashkësisë shqiptare në Amerikë, sidomos i Këshillit Kombëtar Shqiptaro-Amerikan (a.k.a. NAAC). Lobimi ashtë nji faktor me randësi në jetën politike dhe shoqënore amerikane, dhe sherben si element shoqënues i organeve të Administratës, ligjërisht i njohun dhe i përkrahun. Qellimi i lobizmit në Amerikë ashte mbajtja dhe përforcimi i vemendjes së organeve qeveritare mbi probleme të ndryshme që shpesh herë mbulohen në grumullin e problemeve të shumëta ditore të këtij vendi. Lobizmi ashtë kumbonë zgjimi i vemendjes qeveritare. Formalisht. “Lobizmi” ashtë kërkesa/lutja që bahet tek anëtarët e trupit legjislativ me qellim influencimi në legjislacion. Nga shpërdorimet, lobizmi shpesh keq-kuptohet, por në esencë ashte faktor pozitiv: sqarimi i problemeve pjesërisht të lanuna mbas dore.Fjala e hymjes së “Hearings”, (e riprodhueme tanësisht nga gazeta ILLYRIA e New York-ut, Nr.1728, datë 7-10.III.2008) e mbajtun nga Kryetari, Senator Biden, vijon ma poshtë (përkthye shqip nga origjinali anglisht):“ Statusi i Kosovës ka qenë sfida e madhe dhe e fundit që mbeti pa u zgjidhë mbas shpërbamjes së Jugosllavisë. Në balancë, gjendja ligjore e Kosovës tregonte se populli i saj nuk kishte perpsektivë me sigurue investime të hueja të nevojshme me rindertue ekonominë e tyne ose nji bazë politike mbi të cilën të ndërtohej shoqënia e tyne.Për dy vjet me rradhë, Kombet e Bashkueme u përpoqën me ndërmjetësue nji marrëveshje mbi pavarësinë e Kosovës. Për fat të keq, Serbia dhe padroni i saj, Rusia, hodhën poshtë nji plan që do të kishte garantue nji pavaresi të mbikëqyrun, dhe mbrojtje të fuqishme për pakicën serbe.As edhe nji herë të vetme gjatë këtyne dy viteve me negociata për të ardhmen e Kosovës, Serbia nuk paraqiti argumente mbi të ardhmen e Kosovës ose pse nji sundim i vazhdueshëm serb mbi Kosovën do të përmirësonte jetët e shqiptarëve etnikë, të cilët përbajnë ma shumë se 90 përqind të popullsisë së Kosovës.Në botën tonë moderne, sovraniteti nuk ashtë nji e drejtë stërgjyshore; sovraniteti ashtë mirëbesimi i shenjtë reciprok në mes të qeverisë dhe mbar popullsisë së nji vendi. Slobodan Milosheviqi shkelmoi këte mirëbesim kur ai u përpoq me spastrue etnicitetin e Kosovës, dhe qeveritë serbe që erdhën ma vonë nuk banë diçka me rivendosë atë mirëbesim. Beogradi dëshironte vetëm sundimin mbi Kosovën, jo të lejonte kosovarët me u vetëqeverisë. Na jetojmë në nji botë ku historia ka peshë, por edhe qeniet njerëzore peshojnë gjithashtu. Kosova nuk mund të mbetej ma gjatë nji kujtim tokësor i së kaluemes së lavdishme imperiale. Kështu, me zgjidhë problemin e statusit të Kosovës nepërmjet nji deklarate unilaterale të pavarësisë së Kosovës nuk ashtë nji zgjidhje ideale. Unë besoj se ishte nji zgjidhje e nevojshme, dhe jam kryenaltë që Shtetet e Bashkueme të Amerikës kanë qenë nga të parët vende që kanë njohë zyrtarisht shtetin e pavarun të Kosovës.Qeveria e re e Kosovës duhet të ruej trashëgimin e madhnueshëm të së kaluemes serbe në Kosovë, por na duhet të mbrojmë të ardhmen e Kosovës. Qeveria e Kosovës, e zgjedhun demokratikisht, ka pranue nji mbrojtje të fortë të pakicave etnike në Kosovë, dhe ka fillue nji seri takimesh që synojnë pajtimin me serbët e Kosovës. Populli i Kosovës ka tregue se çfar vendi duen ata të krijojnë. Në se dalin me sukses, Kosova do të përparojë. Nuk ashtë nji ndermarrje e lehtë. Kosova përballet me vështirësi epike, si niveli i naltë i papunësisë, korrupsioni i tejpërhapun, dhe tensionet që akoma vazhdojnë. Por vendi zotënon rezerva dhe energji të mëdha, nji popullsi të re, dhe dëshirën me ndertue nji atdhe me shumicë myslimane demokratike në nji shtet pro-perëndimor. Në se populli i saj vazhdon me mbrojtë të drejtat e njeriut dhe me luftue korrupsionin, udhëheqsit kosovarë do të meritojnë përkrahjen tonë të plotë në përpjekjet e tyne me u antarësue në shoqëninë e kombeve dhe në institucionet euro-atlantike. Beogradi duhet të marre hapat e duhun me të cilët edhe vendet tjera ballkanike do të vlerësojnë përparimin e tyne për anëtarësim në BE dhe NATO. E kundërta ka ndodhë! Serbët kanë ra viktimë e udhëheqësve të tyne të cilët, me citue Abba Eban, “nuk kanë humbë rastin me prishë nji mundësi….”

Në vend që të ecet përpara me guxim drejt Europës, udhëheqsit e Beogradit ngulin kambë mbi të kaluemen që përfaqson vetëm nji politikë që pruni shkatërrim.Unë jam veçanërisht i shgënjyem me aktet e zyrtarëve të qeverisë serbe që erdhën në fuqi mbasi rrëzuen nga throni nji tiran, por kanë fillue tashti të ndjekin të njajtat taktika dhe bajnë po ato deklarata që ata vetë kundërshtuen pak kohë ma parë. Refuzimi i vazhdueshëm i kryeministrit Koshtunica me thirrë për arrestimin e kriminelëve të luftës të arratisun, si dhe refuzimi i tij me firmue Marrëveshjen e Stabilitetit dhe Shoqënimit me Bashkimin Europian kanë damtue randë standartin ndërkombëtar të Beogradit. Udhëheqës të tjerë serbë kanë qenë ma pak shkelës të rregullave me aksionet e tyne, por kanë dështue megjithate në marrjen e nji qendrimi që mund të lejojë ecjen përpara të vendit tyne. Dhuna që u përdorue mbas deklaratës së pavarësisë së Kosovës ishte e parapame, e evitueshme, dhe si rezultat i disa individëve që ndezin gjakërat e egërsisë publike, dhe mospranimin e përgjegjsisë për rrjedhimet që pasuen. Qeveria e Serbisë duhet të ndalojë përdorimin e pavarësisë së Kosovës si çfajsim për damtimet që i shkaktojnë kombit tyne.

Serbia duhet të filloj procesin e eliminimit të politikës saj të dështueme në këto 15 vitet e fundit dhe me fillue rrugën e nji të ardhmje si pjesë e Europës. Na nuk mund të lejojmë ngerçin qeveritar që ka kapë Beogradin të përhapet edhe në Kosovë e Bosnje-Herzegovinë. Amerikanët, europianët dhe partnerë të tjerë ndërkombëtarë kanë investue shumë me qellim që të mos shohim ambiciet demokratike të këtyne vendeve të mbyten që në lindje. Çdo përpjekje nga ana e Beogradit me mbjellë kaos në Kosovën e Veriut, ose në Republika Srpska të Bosnjes duhet kundërshtue menjiherë dhe me vendosmëni nga BE, dhe NATO. Aktet serbe duhet të influencojnë vendimet e investuesve të huej, të cilët mund të kenë në program-projekte në atë vend.

Për tetë vjet me rradhë, populli i Kosovës – dhe i gjithë rajoni- janë përpjekë me ndertue ekonomitë dhe shoqënitë e tyne mbi bazat e nji pasigurie. Sot, na kemi mundësi me heqë velin e dyshimit. Europianët dhe amerikanët duhet të ndërgjegjsohen për thirrjet që vijnë me kërkesa për nji mosangazhim të përkohëshëm nga rajoni, tashti që Kosova ashtë shtet në vete. Tensionet do të vazhdojnë me u ngritë gjatë këtyne muejve të ardhshëm. Qoftë edhe në kondita e rrethana ideale, ruejtja dhe stabiliteti ne Gadishullin Ballkanik do të kërkojë ndihmën ekonomike të konsiderueshme për zhvillim, ruejtjen e paqës dhe diplomaci të fortë.Unë pres që në të ardhmen të ndigjoj mendimet e deshmitarëve, me mësue se si janë planet e Shteteve të Bashkueme të Amerikës për përkrahjen e Kosovës në këto ditë e javë sfiduese nga të papritunat para nesh.

Na duhet të pranojmë pavarësinë e Kosovës si nji gur piramide udhë-rrëfyes, ashtu siç ashtë në fakt. E mirëkuptueme si duhet, pavarësia e Kosovës do të heq edhe gurin e fundit pengues (në rrugën e mirëkuptimit) që mbetet në mes të Ballkanasve dhe nji të ardhmje paqësore me prosperitet”.

Me nji mik të këtill në Washington, D.C. e ardhmja e Kosovës ashtë e sigurtë! Fjala e Senatorit Biden nuk kaloi pa efekt. Ish Ministri i Jashtëm i Sllovenisë, D.Rupel, me njohjen e pavarësisë së Kosovës deklaroi para votuesve sllovenë :”Ky vendim (i njohjes së pavarësisë së Kosovës) nuk ashtë kundër Serbisë. Sllovenia nuk e mori këte vendim për interesat e saj; ne vendosim sot mbi bazën e politikës europiane e ndërkombëtare”, tha ai.Kundërshtimi i fortë erdhi nga qendrimet e Rusisë dhe Kinës komuniste.

Në këte atmosferë të tensionueme, zyrtarët amerikanë i banë thirrje Serbisë me ndjekë rrugën që shpie në integrimin europian dhe jo në izolim. N/Sekretari i Shtetit, diplomati Daniel Fried reagoj kundër veprimtarive serbe që synojshin largimin e Serbisë nga Europa, dhe pengimin e njohjes së Kosovës nga vendet europiane. “Pavarësia e Kosovës”, theksoi ai, “ashtë rezultat i thyemjes së Jugosllavisë në shumë shtete trashëgimtare. Situata e Kosovës përfshinë faktorë që nuk paraqiten në raste tjera….

Duhet të ndihmojmë Kosovën me forcue institucionet shtetnore moderne, dhe funksionale. Duhet të ndihmojmë me krijue nji atmosferë të favorëshme për investime dhe pak nga pak me zhdukë korrupsionin”….Ai bani thirrje Rusisë për qetësi, në mënyrë që të ndigjohen këto fjalë pa asnji dyshim nga Serbia dhe nga serbët në Kosovë”, raporton gazeta ILLYRIA (N.Y.)*******

Me qellim që të ndihmojmë zgjedhjen President i Shteteve të Bashkueme të Amerikes ish N/Presidentin Joseph R. Biden, Jr. me 3 nandor 2020, nji grup aktivistësh demokratë shqiptaro-amerikanë ka formue grupimin e bashkëmendimtarëve të bashkësisë sonë dhe ka lëshue këte “Deklaratë”:“ Na, të neënshruemët, përkrahim Joseph R. Biden, Jr. në fushatën e tij për President të Shteteve të Bashkueme të Amerikës. N/Presidenti Joseph R. Biden, Jr. ka tregue vazhdimisht gjatë karrierës së tij, nji afinitet të fortë për popullin shqiptar, nji angazhim me ndihmue të gjithë Amerikanët në përpjekjet e tyne për sukses, dhe nji devocion për institucionet tona demokratike. Shtetet e Bashkueme të Amerikës kanë sot nevojë për nji President të ardhshëm që personifikon këto cilësi. Përkrahja gjatë gjithë jetës së tij politike e dhanun për Shqiptarët ka qenë veçanërisht impresionuese. Si udhëheqës në Kongres, ai perqafoi tranzicionin demokratik të Shqipërisë në demokraci, dhe bani thirrje për Shtetet e Bashkueme të përkrahë zhvillimin e Shqipërisë që në ato ditë.Kur populli i Kosovës luftonte për lirinë dhe pavarësinë e vet, Joseph R. Biden, Jr. mori anën e tyne. Kur qeveria serbe u përgjegj kërkesave shqiptare me nji spastrim të egër etnik, Joseph R. Biden, Jr. mbështeti ndërhymjen ushtarake amerikane, dhe Pavarësinë e Kosovës. Ai ka përkrahë gjithmonë demokracinë dhe të drejtat e njeriut për Shqiptarët në të gjithë Ballkanin, gjatë ushtrimit të detyrës së tij si Senator ashtu edhe si N/President i Shhteteve të Bashkueme……..Për këto arsye dhe shumë të tjera, na përkrahim Joseph R. Biden, Jr. për President të Shteteve të Bashkueme të Amerikës në këto momente kritike për Kombin tonë, dhe për botën mbar”.

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here

Call: +38349676773

Most Popular

Çka ka mbetur pa i dhënë Kishës Ortodokse Serbe?

Sot, Lëvizja VETËVENDOSJE! mbajti një konferencë për media, ku deputeti Hajrulla Çeku foli për zotimet e delegacionit të z. Hoti në Uashington...

Promovohet libri “Mugen” i Kushtrim Thaqit

Libri fillon më një të vërtetë, por përfundon më një dyshim, paqartësi.  Pasditen e djeshme, në ambientet e Qendrës...

Kryekuvendarja Osmani takoi amb. e Zvicrrës, Thomas Kolly

Kryetarja e Kuvendit të Kosovës, dr. Vjosa Osmani ka pritur në takim ambasadorin e ri të Zvicrës në Kosovës, z. Thomas Kolly. 

Live nga Kuvendi i Kosovës

Më poshtë mund ta përcjellni seancën plenare të Kuvendit të Kosovës https://www.youtube.com/watch?v=wS-9RdZsZ3A

Recent Comments