Tuesday, January 19, 2021
Home KRYESORE Qeveria Kurti më e mira që nga Paslufta tregojnë raportet e USAID...

Qeveria Kurti më e mira që nga Paslufta tregojnë raportet e USAID & UNDP

shkruan Hajrulla Çeku

Pse e rrëzuan qeverinë në kohë pandemie? Çka i shtyri të bëhen sërish bashkë dhe të gjejnë një rrugë jolegjitime drejt pushtetit? Përgjigjet i gjeni në raportin e UNDP dhe USAID në Kosovë, të publikuar para disa ditësh. Ky raport që titullohet “Pulsi Publik”, bën matjen e disponimit qytetar mbi zhvillimet në vend rregullisht nga viti 2010, respektivisht nga 2002 me emër tjetër (EWR). Matja e fundit është realizuar në periudhën e qeverisë Kurti. Ja një përmbledhje e të gjeturave të raportit (anketës):

  1. Niveli i kënaqshmërisë me punën e qeverisë është mbi 60 përqind, ndërsa në nëntor 2019 ishte 14.4 përqind. Niveli i kënaqshmërisë me punën e kryeministrit është mbi 65 përqind, ndërsa në nëntor 2019 ishte 20.7 përqind. Të dyja paraqesin nivelet më të larta të kënaqshmërisë të regjistruara nga anketat e Pulsit Publik nga viti 2010.
  2. Rreth 55 përqind e qytetarëve mendojnë se qeveria punon sipas prioriteteve të qytetarëve të Kosovës, që paraqet vlerën më të lartë të regjistruar ndonjëherë nga Pulsi Publik. Për krahasim, në qeverinë Haradinaj vlera më e ulët ishte 18.1 përqind, ndërsa në qeverinë Mustafa kishte arritur nivelin më të ultë të regjistruar ndonjëherë, me vetëm 11.8 përqind.
  3. Niveli i kënaqshmërisë së qytetarëve me presidentin është vetëm 18.7 përqind, që paraqet nivelit me të ulët të regjistruar nga anketat e Pulsit Publik nga viti 2010. Ky është presidenti me nivelin më të ulët të besueshmërisë në historinë e Kosovës.
  4. Rreth 20 përqind e qytetarëve mendojnë që korrupsioni është i pranishëm në institucione publike. Kjo paraqet vlerën më të ulët të regjistruar ndonjëherë nga Pulsi Publik. Vendimet dhe veprimet e qeverisë kanë pasur ndikim rrënjësor në kthimin e besimit të humbur qytetar në integritetin e institucioneve.
  5. Rreth 86 përqind e qytetarëve shprehen se ndihen të sigurt në rrugët e Kosovës. Kjo paraqet nivelin më të lartë të sigurisë të regjistruar ndonjëherë nga Pulsi Publik.
  6. Më shumë se gjysma e qytetarëve kanë pikëpamje pozitive për proceset demokratike në vend (Indeksi i Demokratizimit 1.53), që përbën nivelin më të lartë të regjistruar nga Pulsi Publik.
  7. Rreth 47 përqind e qytetarëve deklarojnë se vota e tyre mund të sjellë ndryshime, ndërsa në maj 2019 vetëm 16.8 përqind e qytetarëve kishin këtë besim.
  8. Rreth 80 përqind e qytetarëve janë shprehur të kënaqur me masat e marra dhe menaxhimin e situatës së pandemisë (COVID-19) nga institucionet publike.

Pra, me vetëm pak muaj në dispozicion, si dhe e përballur me pandeminë COVID-19, sabotimin e LDK-së, presionin e Presidentit, mocionin e mosbesimit, qeveria Kurti arriti të transformojë rrënjësisht besimin qytetar në institucione publike, duke shënuar nivele rekorde të kënaqshmërisë dhe përkrahjes qytetare për reformat e ndërmarra. Rol tejet të rëndësishëm në rritjen e besueshmërisë qytetarë në institucione ka luajtur edhe kryetarja e Kuvendit, Vjosa Osmani.

Si përgjigje ndaj ndryshimit rrënjësor të disponimit qytetar, klubi i stërvjetruar politik vendosi të veprojë. E nisën me lojën për shpalljen e gjendjes se jashtëzakonshme, vazhduan me mocionin e mosbesimit dhe rrëzimin e qeverisë dhe e mbyllën me instrumentalizimin e Gjykatës Kushtetuese, e cila nxorri një aktgjykim të padrejtë. Gjatë gjithë kësaj kohe bënë përpjekje për të plasuar të pavërteta në opinion, si mbulesë për motivet e vërteta, herë duke folur për gjoja rrezikimin e marrëdhënieve me Shtetet e Bashkuara, herë duke u thirrur në shkarkimin e Agim Veliut, e të tjera marrëzira.

Asnjëra nga këto, pra. Arsyet pse e rrëzuan qeverinë janë të listuara më lart. Së shpejti do të binden për gabimin që kanë bërë. Jo pse e ndalën Lëvizjen Vetëvendosje, por sepse ndërprenë në gjysmë punët e mira për qytetarin. Këtë qytetarët e Kosovës nuk do t’ua falin.

#DuamZgjedhje

Most Popular

Recent Comments