Saturday, July 31, 2021
spot_img
HomeBotaEUPresidentja Osmani priti kryesuesen e OSBE-së, njëherësh ministre e Punëve të Jashtme...

Presidentja Osmani priti kryesuesen e OSBE-së, njëherësh ministre e Punëve të Jashtme të Suedisë, znj. Ann Linde

Presidentja e Kosovës, dr. Vjosa Osmani priti kryesuesen e OSBE-së, njëherësh ministre e Jashtme e Suedisë, znj. Ann Linde, me të cilën bisedoi për rolin e OSBE-së në Kosovë dhe bashkëpunimin e mëtejmë me këtë organizatë.

Në këtë vizitë, znj. Linde ishte e shoqëruar edhe nga znj. Asa Regner, zv. drejtoreshë e UN Women, duke qenë që në fokus të kësaj vizite ishte edhe çështja e fuqizimit të vajzave dhe grave në fushën e sigurisë dhe në procese të paqes.

Presidentja Osmani theksoi mirënjohjen për rolin që kjo organizatë e ka luajtur në Kosovë në vitet ’90, nëpërmjet misionit të saj vëzhgues, por edhe pas luftës, në forcimin e institucioneve. Ajo ia paraqiti ministres Linde synimin e institucioneve që t’i thellojnë raportet me institucionet dhe organizatat ndërkombëtare siç është OSBE-ja.

“Prioritet yni”, tha ajo, “është bashkëpunimi me institucionet dhe organizatat ndërkombëtare, si dhe anëtarësimi sa më i shpejtë i vendit tonë në to, ngase kësisoj do të përfitonin të gjithë qytetarët e vendit”.

Ajo i kërkoi ministres Linde që Suedia, si vend udhëheqës i OSBE-së, të ndikojë që raportet e Kosovës me këtë organizatë të avancohen.

Tutje, udhëheqësja e OSBE-së ia paraqiti presidentes Osmani prioritetet të cilat vendi i saj do t’i ndjekë gjatë kohës sa do të udhëheqë me këtë organizatë.

Në takim, palët diskutuan edhe për forcimin e sigurisë dhe të paqes, në veçanti për pjesëmarrjen e grave në politikat e sigurisë.

U vlerësua lart fakti që Kuvendi i Republikës së Kosovës e ka votuar unanimisht përfshirjen e Konventës së Stambollt në Kushtetutë. Duke vepruar në këtë mënyrë, palët theksuan se Kosova është paraqitur si një vend që e kupton qartë rëndësinë e angazhimit drejt parandalimit të dhunës ndaj grave dhe të dhunës familjare, si dhe mbrojtjes së viktimave.

Presidentja Osmani potencoi që përtej këtij hapi të rëndësishëm, Kosova ka nevojë për mbështetje drejt zbatimit të kësaj Konvente duke kërkuar që të identifikohen modalitete të bashkëpunimit konkret në këtë drejtim.

Palët e vlerësuan gatishmërinë e Kosovës për të punuar ngushtë me OSBE-në dhe UN Women në forcimin e rolit të gruas në jetën publike, përfshirë edhe institucionet e sigurisë.

spot_img

Most Popular

Recent Comments