Tuesday, April 20, 2021
spot_img
HomeKRYESOREPhillips: Kosova po hyn në një periudhë të paqëndrueshme dhe të rrezikshme

Phillips: Kosova po hyn në një periudhë të paqëndrueshme dhe të rrezikshme

David L. Phillips
David L. Phillips

Peace Building and Human Rights

David L. Phillips, drejtor i Programit për Ndërtimin e Paqes dhe të Drejtat e Njeriut në Institutin për Studimin e të Drejtave të Njeriut në Universitetin Columbia në New York, ka folur për situatën e krijuar pas vendimit të Gjykatës Kushtetuese të Kosovës për Qeverinë e Avdullah Hotit.

Phillips ka thënë se Kosova po hyn në një periudhë të paqëndrueshme dhe të rrezikshme.

Ai ka thënë se Kosova tani ka nevojë për udhëheqje parimore dhe efektive për të menaxhuar krizën e Covid-19 dhe për të zhvilluar dialogun me Serbinë, që do të përfundojë me njohjen e Kosovës nga Beogradi.

“Kosova po hyn në një periudhë të paqëndrueshme dhe potencialisht të rrezikshme. Politika e saj nuk zgjidhet nga vendimi i fundit i Gjykatës Kushtetuese dhe paditë nga Gjykata Speciale. Tani më shumë se kurrë, Kosova ka nevojë për udhëheqje parimore dhe efektive për të menaxhuar krizën e Covid-19 dhe për të zhvilluar negociata me Serbinë, duke kulmuar në njohjen e Beogradit të Kosovës si një shtet i pavarur dhe sovran brenda kufijve të saj aktualë”, është shprehur Phillips.

Eksperti amerikan ka folur edhe për ndikimin e SHBA-së në zhvillimin e Kosovës, duke kërkuar nga administrata e Joe Bidenit, që sa më shpejt të ndjek diskutimet mbi qasjen e tij ndaj Kosovës. Sipas tij, Biden duhet të punojë për të qetësuar Ballkanin.

“Si gjithmonë, SHBA luan një rol të domosdoshëm në zhvillimin e Kosovës. Sfidat aktuale të Kosovës ndodhin në një kohë kur SHBA dhe Kosova po kalojnë tranzicionin. Administrata Trump është diskredituar nga paragjykimi i saj pro-serb dhe pretendimet e rreme rreth mashtrimit zgjedhor në SHBA. Administrata e ardhshme e Bidenit do të sfidohet menjëherë, përfshirë stabilizimin e Kosovës. Ekipi i tranzicionit i Bidenit duhet të ndjekë shpejt diskutimet mbi qasjen e tij ndaj Kosovës dhe strategjitë për qetësimin e Ballkanit”, ka thënë më tej David L. Phillips për “Bota sot”.

Ai ka akuzuar Lidhjen Demokratike të Kosovës dhe partitë e lidhura me Ushtrinë Çlirimtare të Kosovës, se e kanë sjellë Kosovën deri në këtë pikë. Sipas Phillips, zgjedhjet e reja do të përcaktojnë se kush do të drejtojë përpjekjet për të konsoliduar progresin, goditjen e korrupsionit dhe zhvillimin e ekonomisë.

“Lidhur me zgjedhjet e parakohshme, SHBA zakonisht mbështet politikat dhe jo personalitetet. Derisa Uashingtoni nuk do të miratojë publikisht asnjë nga partitë politike të Kosovës, ajo duhet të pranojë që forcat e reformës janë të forta. Të rinjtë dhe gratë kanë një rol gjithnjë e më të spikatur. Partitë e lidhura me LDK-në dhe UÇK-në ndihmuan në sjelljen e Kosovës në këtë pikë. Zgjedhjet e ardhshme do të përcaktojnë se kush do të drejtojë përpjekjet për të konsoliduar progresin, goditjen e korrupsionit dhe zhvillimin e ekonomisë”, ka deklaruar drejtori i Programit për Ndërtimin e Paqes dhe të Drejtat e Njeriut në Institutin për Studimin e të Drejtave të Njeriut në Universitetin Columbia.

Ai parashikon që zgjedhjet e reja do t’i fitojë partia e Albin Kurtit. Phillips ka porositur partinë fituese që të tregojë kujdes ndaj ndikimit turk në Kosovë, duke theksuar se e ardhmja e Kosovës është në integrimet Euro-Atlantike.“Lëvizje Vetëvendosje patjetër që do të marrë mbështetjen më të madhe. Por a do të marrë më shumë se 50 përqind, duke paraprirë nevojën për një koalicion? Kushdo që fiton, duhet të jenë të kujdesshëm ndaj ndikimit të poshtër islamik të Turqisë. E ardhmja e Kosovës qëndron në integrimet Euro-Atlantike”, ka thënë më tej eksperti amerikan për gazetën.

Ai beson që populli i Kosovës do të përqëndrohet në interesin kombëtar dhe në bashkëpunimin konstruktiv me SHBA-në.

“Kam besim të madh te populli i Kosovës. Në dekadat që kam punuar në rajon, Kosova u rebelua kundër forcave të armatosura jugosllave; përmbysi sundimin shtypës të Beogradit; shpalli pavarësinë; dhe themeluan institucione për vetë-qeverisje. Derisa palët e interesuara të Kosovës përqendrohen në interesin kombëtar, SHBA duhet të mbështes në mënyrë proaktive procesin zgjedhor të Kosovës dhe ndërtimin e shtetit. Nuk ka asgjë që Kosova nuk mund të arrijë nëse njerëzit e saj akomodojnë ndryshime, bashkëpunojnë me njëri-tjetrin dhe punojnë në mënyrë konstruktive me Shtetet e Bashkuara të Amerikës”, ka shtuar për “Bota sot David L. Phillips.

spot_img

Most Popular

Recent Comments