Tuesday, October 19, 2021
spot_img
HomeBotaEUPadia për Gjenocid do ta Destabilizojë Serbinë e Vuçiqit

Padia për Gjenocid do ta Destabilizojë Serbinë e Vuçiqit

Skender Musliu

Edhe para se të vije në krye të qeverisë, por edhe pas ardhjes, kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka thënë se qeveria e tij do të fillojë menjëherë përgatitjet e padisë kundër Serbisë për gjenocid në Kosovë gjatë periudhës së luftës së fundit.

Njohësi i çështjeve juridike, Skënder Musliu, ka thënë se kryeministri Kurti ashtu siç kishte paralajmëruar po e mbanë premtimin lidhur me ushtrimin e padisë ndaj Serbisë, pranë Gjykatës Ndërkombëtare të Drejtësisë për krime lufte, krime kundër njerëzimit dhe gjenocid.

“Para Qeverisë Kurti, në vitin 2011 ishte formuar Instituti për Hulumtimin e Krimeve të Luftës, që për qëllim kishte mbledhjen dhe përpunimin e të dhënave, klasifikimin dhe arkivimin e tyre, mbi krimet serbe gjatë luftës të viteve 1998-1999. Mirëpo edhe përkundër vullnetit, por në mungesë të kushteve, sikurse, zyrave të nevojshme, stafit të pamjaftueshëm, mungesës së financimit adekuat, e në veçanti mospërkrahjes institucionale, ky Institut, edhe përkundër disa arritjeve, dështoi. Në këtë kontekst, disa Organizata joQeveritare, sikurse Fondi për të Drejtën Humanitare në Kosovë dhe Fondi për të Drejtën Humanitare në Serbi, kishin bërë shumë punë serioze, duke grumbulluar fakte të çmueshme mbi rrethanat dhe numrin e krimeve, sesa Instituti në fjalë, i cili madje me Vendim të Qeverisë Haradinaj në vitin 2018 u mbyll, duke dështuar definitivisht”, ka thënë juristi Musliu.

Juristi që jeton dhe vepron në Bruksel të Belgjikës, ka bërë me dije se ekzekutivi aktual me seriozitet ka nisur punën për formimin e Institutit për Krime të Kryera gjatë Luftës në Kosovë.

“Ekzistenca shumëvjeçare e këtij Instituti dhe dështimi i saj, domosdoshmërish imponon pyetjen, se pse dështoi? Mosinteresimi i institucioneve shtetërore, duke mos i krijuar Institutit kushte normale për punën e saj, krijon dyshime reale, se a mos u sabotua qëllimisht puna e këtij Instituti. Nga kush dhe për çfarë arsye dhe qëllime. Është papërgjegjshmëri e skajshme dhe sjellje kriminale e klasave të kaluara politike që nuk mundësuan punën normale të këtij Instituti, që do të ndihmonin punën për përgatitjen e padisë kundër Serbisë. Fatmirësisht, Qeveria Kurti me seriozitet ka nisur punën për formimin e Institutit për Krime të Kryera gjatë Luftës në Kosovë, duke ia krijuar të gjitha kushtet e nevojshme për një punë të suksesshme. Për këtë qëllim, në Kuvendin e Kosovës do të miratohet një Ligj i veçantë që do t’a rregullojë këtë materie”, ka shpjeguar me tej njohësi i çështjeve juridike.

Sa i përket asaj, se kush mund ta bëjë padinë, juristi Musliu ka shpjeguar se kjo mund të bëhet edhe përmes një shteti tjetër, por që sipas tij, pastaj sikur gjërat komplikohen.

“Puna profesionale dhe përfundimtare e këtij Instituti do të shërbejë për përgatitjen e një padie të argumentuar kundër Serbisë, për krime lufte, krime kundër njerëzimit dhe gjenocidin e ushtruar serb në Kosovë, por edhe për memorien kolektive dhe historinë e Kosovës. Ngritja e padisë kundër Serbisë, nga aspekti juridik, është diskutabile, nga fakti se Kosova nuk është anëtare e OKB-ës, rrjedhimisht nuk është nënshkruese e Statutit të GJND-ës. Kjo padi mund të bëhet edhe përmes një shteti tjetër, por pastaj sikur gjërat komplikohen, duke amortizuar vlefshmërinë dhe seriozitetin e peshës, dhe rëndësisë së padisë, madje duke rrezikuar rezultatin përfundimtar. Por, për momentin është me rëndësi që të fillojë puna e Institutit të paralajmëruar, për përgatitjen e padisë, sepse bëhet fjalë për një mega projekt të rëndësisë së veçantë me karakter nacional dhe historik, që mund të zgjatë”, tha ai.

Madje, ai nënvizon se për ngritjen e padisë tashmë të gjitha argumentet janë në anën e Kosovës.

“Të gjitha argumentet për ushtrimin e padisë, janë në anën e Kosovës, por gjithçka varet nga angazhimi dhe qasja serioze e Institutit, duke kërkuar dhe angazhuar edhe ekspert ndërkombëtar të fushës. Në këtë projekt duhet përfshirë të gjitha OJQ-ët vendore dhe ndërkombëtare, Amnestinë Ndërkombëtare, Akademinë e Shkencave e në veçanti duhet kërkuar ndihmë nga vendet e kuintit dhe NATO-s, të cilat kanë burime dhe materiale dhe të dhëna të pashtershme dhe të pakontestuara që mund të luajnë rol shumë të rëndësishëm për fatin e padisë”, ka shtuar me tej juristi Musliu.

Në fund, juristi Musliu thekson se përsëritja dhe insistimi publik i kryeministrit Kurti për ngritjen e një padie kundër Serbisë, seriozisht ka destabilizuar klasën politike të Serbisë.

“Duke patur parasysh faktin se përgatitja, ngritja dhe shqyrtimi i padisë mund të merr shumë kohë, mbase me vite, mendoj se Kosova duhet të fillojë, që përmes kërkesave individuale, të kërkojë nga shtetet që e kanë njohur pavarësinë e Kosovës, në veçanti nga SHBA-të, Britania e Madhe, Gjermania, Franca, por edhe të tjera, ta njohin individualisht gjenocidin serb. 

Mendoj se njohjet eventuale individuale të gjenocidit serb, mund të luajnë rol të veçantë edhe në punën e GJND për marrjen e një vendimi të drejtë, por këto njohje do të kishin ndikim të jashtëzakonshëm në rrjedhat e dialogut, në favor të Kosovës. Përsëritja dhe insistimi publik i Zotit Kurti për ngritjen e një padie kundër Serbisë, seriozisht ka destabilizuar klasën politike të Serbisë. 

Gjykoj se, se fati dhe suksesi i padisë, përveç aspektit profesional juridik, ka edhe aspektin politik, respektivisht për çdo veprim, institucionet e Kosovës duhet të veprojnë në bashkërenditje me faktorin ndërkombëtar, e në veçanti me SHBA-të, Gjermaninë, e tjera shtete që përkrahin fuqishëm pavarësinë e Kosovës”, tha në fund, juristi Skender Musliu.

via Bota sot

spot_img

Most Popular

Recent Comments