Friday, May 14, 2021
spot_img
HomeBotaEUOEK: Organizohet Forumi i III-të Biznesor me Greqinë, me fokus sektorin e...

OEK: Organizohet Forumi i III-të Biznesor me Greqinë, me fokus sektorin e energjisë

Në formatin virtual, sot u organizua për herë të III-të, Forumi Biznesor me Greqinë. Forumi i organizuar nga Ministritë e Jashtme të të dyja vendeve dhe Oda Ekonomike e Kosovës, kësaj rradhe diskutoj për potencialin e investimeve në sektorin e energjisë në Kosovë. Forumin e hapën Ministrja e Punëve të Jashtme dhe Diasporës në Qeverinë e Republikës së Kosovës, znj. Donika Gërvalla–Schwarz dhe z. Kostas Fragkogiannis, Zëvendësministër i Jashtëm në Qeverinë e Republikës Helene.

Në fjalimin e tij gjatë punimeve të këtij Forumi, Kryetari i Odës Ekonomike të Kosovës, z. Berat Rukiqi, renditi disa nga pjesët kryesore të suksesit ekonomik të Kosovës, të renditura si në vijim:

– Para pandemisë, Kosova ishte tregim i suksesshëm sa i përket rritjes ekonomike. Me rritje ekonomike, me një mesatare prej 4% në dekadën e fundit, një ndër mesataret më të larta në rajon dhe Evropë, Kosova ka treguar performancë të fuqishme ekonomike;

– Kjo performancë ekonomike, pas shpalljes së pavarësisë, i ka dëshmuar gabim të gjithë ata që kanë menduar se Kosova nuk do të jetë ekonomikisht e qëndrueshme;

– Kosova ka stabilitet makroekonomik, ndër të tjera, si rezultat i përdorimit të Euros si valutë zyrtare;

– Kosova është e integruar mirë në tregjet rajonale dhe ndërkombëtare, duke qenë anëtare në CEFTA, duke qenë palë nënshkruese e Marrëveshjes së Stabilizim Asocimit dhe duke përfituar nga GSP (Sistemi Gjeneral i Preferencave), me Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Ky integrim, kohëve të fundit, është duke ju ndihmuar kompanive tona dhe kompanive që investojnë në Kosovë, të rrisin eksportet në tregje të ndryshme;

– Kosova ka sistemin më të favorshëm tatimor në rajon. Nuk ka vend në Evropë që nuk aplikon tatim në dividend. Ky avantazh tatimor, është mundësi e mirë për të gjitha kompanitë që planifikojnë investime në Kosovë;

– Se fundmi, Kosova po shëndrrohet në një ndër lokacionet kryesore, për investime nga kompanitë ndërkombëtare dhe vendore, aktive në BPO (Business Process Outsourcing). Mijëra të rinjë janë të punësuar në këtë sektor. Këto kompani po e shfrytëzojnë, numrin e madh të fuqisë punëtore (të rinjë dhe të reja), që ndër të tjera karakterizohet si dinamike dhe e shkathët, sidomos me shkathtësi të gjuhëve të huaja dhe shkathtësi dixhitale;

– Kosova ka një infrastrukturë moderne. Nga Prishtina ka fluturime të rregullta, për kryeqytetet kryesore në Evropë. Infrastruktura rrugore na ka mundësuar që të jemi në distancë të afërt me të gjitha portet kryesore të rajonit (Selanik, Bar, Stamboll, Durrës);

– Në aspektin e infrastrukturës për internet dhe dixhitalizim, Kosova është një ndër vendet lidere në kontinentin evropian. Qasja në broadband është më e lartë se sa mesatarja në nivel evropian (93% sipas Eurostatit);

– Tranzicioni në sektorin e energjisë drejt teknologjive më të gjelbërta dhe më efiçiente në gjenerimin e energjisë elektrike dhe rimëkëmbja ekonomike, që duhet ta ketë si shtyllë kryesore “rimëkëmbjen e gjelbërt”, krijojnë mundësi të reja për investime dhe krijim të vendeve të punës, për kompani nga Kosova dhe vendet e tjera, përfshirë Greqinë.

Forumi u përmbyll nga zyrtarët dhe ekspertët e sektorit të energjisë nga Qeveria dhe sektori privat, të cilët prezantuan disa nga projektet kryesore në sektorin e energjisë.

spot_img

Most Popular

Recent Comments