Friday, December 3, 2021
spot_img
HomeBotaEUNuk mund të keqpërdoret më me UÇK-në dhe Rugovizmin për qëllime mafioze,...

Nuk mund të keqpërdoret më me UÇK-në dhe Rugovizmin për qëllime mafioze, personale dhe klanore!

Skender Musliu

shkruan Skender Musliu, Bruksel

Rezultatet e zgjedhjeve të fundit, edhe pse, ende të pacertifikuara, treguan se manipulimi me UÇK-në dhe Rugovizmin duhet të marrin fund, sepse populli është ngopur me keqpërdorimin dhe karikaturizimin e tyre, për interesa personale dhe klanore. Kjo tregon se ka ardhur koha për ndryshime rrënjësore të diskursit, kulturës dhe mentalitetit të veprimit politik. Duhet dhënë fund qeverisjeve mafioze të personave të paedukuar, të pa emancipuar dhe të paditur politik, madje me të kaluar të dyshimtë, që qeverisën Kosovën, duke degraduar institucionet shtetërore, në të gjitha nivelet, por edhe duke dobësuar qenësisht subjektivitetin ndërkombëtar të Kosovës.

« Komandantët » e pasluftës, sa herë që kishin nevojë, thirreshin në UÇK-ën dhe Adem Jasharin, por ku ishin këta, derisa ai me familjen e tij luftonin, për tre ditë me radhë, duke u flijuar për lirinë e Kosovës? Pse nuk u ndihmuan Jasharajt, pse nuk i mbërritën armët e premtuara, a u bojkotuan, nga kush dhe pse ?! Këto dhe shumë pyetje tjera kërkojnë përgjigjje. Është e vërtetë se historia nuk rishkruhet, por e vërteta duhet të shkruhet.

Në këtë kontekst, duhet theksuar se Ademi, Hamza dhe familja Jasharaj, kanë qenë për një luftë të organizuar me ushtri institucionalisht të strukturuar, pikërisht ashtu siç parashikonte « Plani B » i Ibrahim Rugovës. Gjatë viteve të 90’ Ibrahim Rugova arriti që përmes politikave paqësore ta homogjenizojë popullin, por duke parë se kjo politikë nuk i jepte rezultatet e pritura, ai kishte paraparë Planin « B », për organizimin e një rezistence ushtarake, për çka kishte arritur edhe një Marrëveshje me Ramiz Alinë. Supozohet se në këtë vazhdë Adem Jashari me disa shokë kishte shkuar në Shqipëri për ushtrime ushtarake.

Mirëpo një ushtri e organizuar institucionalisht, sikur nuk i konvenonte të gjithëve, prandaj në Oslo, u organizua një Konferencë për unifikimin e të gjitha subjekteve të rezistencës në një Formacion të përbashkët dhe unik ushtarak, që fatkeqësisht, nuk u arrit kjo Marrëveshje. Kështu në njërën anë kishim FARK-un, si Formacion ushtarak të Qeverisë së Përkohshme të Kosovës dhe Shtabin e Përgjithshëm të UÇK-së, që më vonë një pjesë e saj u identifikua si « Shtabi i Rognerit ». Lidhur me mosarritjen e kësaj Marrëveshje, Hashim Thaçi nga Haga, në vigjile të zgjedhjeve të 14 shkurtit, me një letër iu drejtua qytetarëve të Kosovës, ku përveç tjerash, shprehë edhe keqardhjen e tij për mosarritjen e kësaj Marrëveshjeje.

Ky mos unifikim i forcave ushtarake la pasoja serioze në zhvillimin e ngjarjeve, të cilat i vuajmë sot e asaj dite, sepse sikur të ishte ndihmuar dhe shpëtuar Adem Jashari dhe familja e tij, rrjedhja e proceseve ushtarake dhe politike do të ishin zhvilluar në konstalacione krejtësisht tjera. Kështu si rezultat i këtyre ndasive, para, gjatë dhe pas lufte, u vranë shumë komandantë dhe ushtarakë të shquar që bartën luftën mbi supet e tyre, sikurse Ahmet Krasniqi, Tahir Zemaj dhe shumë e shumë të tjerë.

Pas përfundimit të luftës, ata që ishin kundër unifikimit, erdhën në pushtet, dhe në vend që ta çojnë amanetin e dëshmorëve në vend, ata duke keqpërdorur UÇK-ën, ngulfatën, uzurpuan dhe degraduan institucionet e Kosovës. Këta komandantë me reliktet e komunizmit instaluan nepotizmin, korrupsionin dhe krimin e organizuar, privatizuan asetet e popullit, vodhën Fondin « Vendlindje thërret » dhe Fondin « 3% », i falën territor Malit të Zi, formuan « Zajednicën », Gjykatën Speciale, në të cilën ata vet ranë, shkatërruan Kompanitë Publike që ishin shumë rentabile…….

Parashtrohet pyetje, a thua pse paskan luftuar këta ( nëse kanë luftuar ?!), për ta ndërtuar shtetin, apo për ta shndërruar atë në plaçkë lufte ?!.

Këta komandantë, pa asnjë ditë pune, brenda nate, u bënë milionerë, duke lënë popullin në mëshirën e kohës, duke harruar vujtjet e luftëtarëve të vërtetë, invalidëve të luftës dhe familjet e dëshmorëve.

Këta që thirren në Adem Jasharin, sa herë që ju duhet, pse e lanë Kompleksin e Jasharajve në gjendje të mjerueshme, madje ajo rrezikon edhe jetën e vizitorëve. Kompleksin e varrezave të Jasharajve nuk e ndërtuan komandantët që qeverisën për dy dekada, por një biznesmen nga Turqia, a nuk është kjo turp për këta komandantë?!

Përvetësimi i UÇK-ës shkoi aq larg saqë disa komandantë thoshiin se PDK-ja është shtëpia e UÇK-ës, ose askush tjetër nuk mund ta përfaqësojë UÇK-ën përveç PDK-ës ! « Krahu i luftës » krijoi monopol mbi të vërtetën duke glorifikuar dhe personalizuar rolin e tyre, që rrjedhimisht minimalizon rolin dhe kontributin e luftëtarëve të vërtetë.

Prandaj është koha e fundit që asnjë komandant e as parti politike, të mos thirret më në emër të UÇK-së, por këtë të drejtë ta kenë vetëm institucionet shtetërore të Kosovës, sepse UÇK-ja nuk ka qenë Formacion Ushtarak privat i disa individëve, por ishte dhe ngelë e popullit, ajo duhet të konsiderohet si Institucion shtetëror, duke i thënë stop profiterëve të luftës dhe relikteve të komunizmit.

Në zgjedhjet e fundit qytetarët e Kosovës, ia bënë të qartë kastave politike se nuk mund të keqpërdoret më me UÇK-në dhe Rugovizmin për qëllime mafioze, personale dhe klanore, por vendi ka nevojë për një Qeveri të ndërgjegjshme dhe të përgjegjshme, duke larguar nga skena politike garniturat e korruptuara.

spot_img

Most Popular

Recent Comments