Thursday, May 13, 2021
spot_img
HomeBotaEUMinistri Quni priti Lorenzo Guerini ministrin e Mbrojtjes së Italisë

Ministri Quni priti Lorenzo Guerini ministrin e Mbrojtjes së Italisë

Në Ministrinë e Mbrojtjes me protokollin shtetëror dhe ceremoni më të lartë ushtarake, sot ministri i Mbrojtjes, Anton Quni priti në vizitë zyrtare, homologun e tij, ministrin e Mbrojtjes së Republikës së Italisë, Lorenzo Guerini me delegacionin e tij të lartë ministror, diplomatik dhe ushtarak.

Në takimin bilateral në mes dy delegacioneve respektive, ministri Quni, e falënderoi dhe  i shprehu kënaqësinë e veçantë  ministrit Guerini për vizitën e tij edhe pse në rrethana të veçanta të krijuara nga kriza e pandemisë duke e vlerësuar lartë vizitën përkatëse edhe për këtë arsye. Në fjalën e tij, ministri Quni, gjithashtu shprehu mirënjohjen e lartë për Republikën e Italisë, si vend mik, në mbështetjen e ofruar në të gjitha periudhat e vështira në të cilat ka kaluar vendi dhe populli i Kosovës në të gjitha fushat.

Ai nënvizoi përkrahjen e madhe gjatë dhe pas luftës,  në ndërtimin dhe arritjet e deritashme të vendit e posaçërisht Ministrisë së Mbrojtjes dhe FSK-së. Në vazhdim, ministri Quni shprehu mirënjohjen e lartë për rolin dhe kontributin e madh në sigurinë e përgjithshme të vendit dhe rajonit të kontingjentit ushtarak italian në kuadër të KFOR-it të udhëhequr me sukses nga gjeneralët e shumtë italian duke theksuar edhe bashkëpunimin e shkëlqyeshëm me ish-komandantin e KFOR-it, gjeneral Risin të pasuar me të njëtin bashkëpunim edhe me komandantin aktual të KFOR-it gjeneral major Franco Federici.

Ai theksoi edhe rëndësinë e madhe që ka bashkëpunimi bilateral me Ministrinë e Mbrojtjes të Italisë dhe Forcat e Armatosura të saj, duke pasur parasysh përvojën e madhe italiane në procesin e integrimeve euroatlantike dhe forcave ushtarake italiane në ngritjen dhe zhvillimin e operacionalitetit ushtarak në përgjithësi. Në vazhdim, ministri Quni shprehu mirënjohjen dhe vlerësimin e lartë të ushtarakëve italian në cilësi të këshilltarëve bilateral dhe atyre në kuadër të Ekipit Këshillëdhënës dhe Ndërlidhës të NATO-s, që nga fillimi i ndërtimit të Ministrisë së Mbrojtjes dhe FSK-së. Eksperiencën e tyre, ai e vlerësoi shumë të rëndësishme duke pasur parasysh fokusin në ngritjen e forcave të ndërveprueshme për pjesëmarrje cilësore në operacione paqeruajtëse. „Pjesëmarrja në operacionet e paqes është ndër detyrat kryesore ligjore të FSK-së, andaj edhe synim yni është zhvillimi i aftësive dhe kapaciteteve operacionale të ndërveprueshme me forcat italiane dhe forcat tjera të vendeve partnere dhe anëtare të NATO-s. Ky synim do të kurorëzohet me ofrimin e mundësisë për ofrimin e kontributit tonë në kuadër të forcave shumëkombëshe për paqen, stabilitetin dhe sigurinë rajonale dhe më gjerë“ tha ndër të tjera ministri Quni.

Nga ana e tij, ministri Guerini, falënderoi për pritjen e ngrohtë dhe ndjenjën e veçantë të vizitës në prag të krishtlindjeve në një vend mik. Ai përgëzoi ministrin Quni, për të gjitha të arriturat e deritashme të ministrisë së Mbrojtjes dhe FSK-së duke konfirmuar angazhimin e Republikës së Italisë në paqen, sigurinë dhe stabilitetin në Kosovë dhe rajon përmes KFOR-it. Ai në vazhdim shprehu interesimin e tij për shtimin e dinamikës për implementimin e memorandumit të mirëkuptimit të nënshkruar para dy viteve në mes dy ministrive dhe shprehu zotimin e tij për angazhimin dhe përkushtimin maksimal për të mbështetur vizionin e lidershipit të Ministrisë dhe FSK-së në planin politik, diplomatik dhe atë ushtarak për të ardhmen. “U siguroj se Republika e Italisë do të vazhdojë të mbështesë në mënyrë aktive perspektivën euro-atlantike të Kosovës duke theksuar se do të intensifikohen marrëdhëniet dhe bashkëpunimi bilateral në funksion të interesave tona të përbashkëta” tha ndër të tjera, ministri Guerini. Në vazhdim të diskutimeve,  dy ministrat u pajtuan që ndër hapat e parë të viti të ardhshëm të jenë vizitat e ndërsjella të dy shefave të mbrojtjes, respektivisht gjeneral Ramës dhe gjeneral Vecciarelli, për të konkretizuar aktivitetet bashkëpunuese bilaterale.

Në fund, të dy ministrat shkëmbyen mesazhet e urimit për festën e krishtlindjeve me lutjet dhe dëshirat për vit më të mbarë për qytetarët, stafet e ministrive e forcave respektive me falënderimet e urimet e veçanta për ushtarakët italian dhe të gjithë ushtarakëve tjerë të KFOR-it me shërbim në Kosovë.

Gjatë vizitës, ministri Guerini shoqërohej nga delegacioni në përbërje prej: shefit të Mbrojtjes së Italisë, gjeneral Enzo Vecciarelli, shefit të  Shtabit të Operacioneve të Përbashkëta, vice admiral Pier Federico Bisconti, komandantit të KFOR-it,  gjeneral major Franco Federici, ambasadorit të Italisë në Kosovë, Nicola Orlando, zëvendësshefit të  Kabinetit për Politikën Ushtarake, admiralit Gianfranco Annunziata, atasheut të Mbrojtjes i Italisë në Kosovë, kolonel Giuseppe Montalto, dhe këshilltarit diplomatik i ministrit, Massimo Marotti. Në anën tjetër, delegacioni i ministrit Quni përbëhej nga komandanti i FSK-së, gjenerallejtënant Rrahman Rama, sekretarja e përgjithshme, Rozafë Ukimeraj, zëvendëskomandanti i FSK-së,  gjeneral major Enver Cikaqi, shefi i kabinetit të tij, Jashar Ramadani, këshilltari ushtarak i ministrit, kolonel Hamdi Pollomi, drejtori i departamentit për bashkëpunim ndërkombëtar dhe integrime euroatlantike, kolonel Hasan Hoxha dhe zyrtarja e lartë e kabinetit, Martina Dedaj- Kqira.  

spot_img

Most Popular

Recent Comments