Tuesday, January 19, 2021
Home KRYESORE MESAZHI I KRISHTLINDJES

MESAZHI I KRISHTLINDJES

LE TA PËRULIM VETËN TONË PASI EDHE PERËNDIA E PËRULI VETËN E TIJ DUKE U BA NJERI!

<strong>Pastor Dr.Femi Cakolli</strong>
Pastor Dr.Femi Cakolli

kryetari i KPUK – KISHA PROTESTANTE UNGJILLORE E KOSOVËS

Të dashur vëllezër e motra dhe të nderuar qytetarë,

Dhjetori për komunitetin tonë protestant paraqet muajin festues të Krishtlindjes, prandaj edhe mbahen shërbesa, projekte, programe, e takime të shumta nëpër kishat dhe sheshet e qyteteve tona. Të krishterët tanë përgjatë këtij muaji mobilizohen që gëzimin dhe solidaritetin e tyre ta ndajnë me sa më shumë dashamirë, mirëpo kësaj radhe ke ndryshe kudo për shkak të pandemisë C-19, dhe jo vetëm kaq.

Ky vit në Kosovë, si kudo në botë, ishte me panik, çrregullim jete, kufizim të lëvizjes, ngritje të shumë pyetjeve e brengave, pat vuajte e shqetësime të reja, dhe disa e kanë përshkruar edhe si shenjë e fundit të botës. Vendi ynë po përballet ende me zhvillime të dëmshme politike e nacionale për të ardhmen e Kosovës. Gjitha këto na flasin shkoqur se si popull na duhet ta përulim vetën para Zotit dhe të pendohemi prej mëkateve e paudhësive tona. Krishtlindja na dëshmon se edhe Zoti e përuli Vetën e Tij duke marrë trajtë shërbëtori (Fil.2:7-8). Le të bëhemi pra shërbëtorë të Perëndisë, shërbëtorë për njëri-tjetrin dhe të shoqërisë e vendit tonë. Le ta përulim vetën tonë pasi vetëm kështu mund të llogarisim në Hirin dhe favorin e bollshëm të Perëndisë.

Lindja e Jezusit është realiteti i njohur, mes qiejve e tokës, kur Fjala u bë mish (Gjn.1:14), pasi Perëndia mori trajtë njerëzore; pasi i Shenjti mori përsipër shpëtimin e njeriut. Krishtlindja është jehona e lavdisë së ushtrive të panumërta të qenieve qiellore (Lk.2:13) dhe të mbi 2.7 miliardë të krishterëve në botë dhe kështu bëhet festa më masovike në botë duke kumtuar lajmin e mirë (ungjillin) për lindjen e Shpëtimtarit të njerëzimit: Jezusi u lind – me të vërtetë u lind! Emri i Tij është Emanuel (Zoti me ne)!

Krishtlindja është përmbushja e qindra profecive biblike dhe përmbushja e shpresës së gjallë. Gjithë historia e Krishtit përmblidhet me tri fjalë: histori Hiri, histori Ungjilli, histori Dashurie. Krishtlindja është besa e mbajtur nga Zoti për mijëra vjet ndaj njeriut. Ai nuk e hodhi poshtë kurrë asnjë premtim për ne edhe pse ne ishim bërë shkapërdarësit. Le të na kujtojë Krishtlindja se Zoti do ta kthejë fytyrën e Tij neve!

Për shumë mot Krishtlindja gjithë të krishterëve të vendit tonë dhe popullit tonë që është jashtë Kosovës! Bekoni dhe mos mallkoni! Krishti është shkëlqimi i lavdisë së Atit Perëndi dhe vula e qenies së Tij (Heb.1:3). Le të festojmë me zemër e begatime por duke e ruajtur dhe duke u kujdesur për tjetrin. Prandaj, edhe thërrasim për paqe, shërim dhe jetë në Kosovë! Amen!

Most Popular

Recent Comments