Friday, October 30, 2020
Home KRYESORE Lidhja e Prizrenit e formësoi kombin shqiptar por edhe e organizoi atë...

Lidhja e Prizrenit e formësoi kombin shqiptar por edhe e organizoi atë në aspektin politik e ushtarak

10 Qershor 2020

Albin KURTI
Albin KURTI

Kryetar i Levizjes Vetevendosje

Përderisa shqiptarët i bënin kryengritjet kundër Perandorisë Osmane, Serbia e Greqia përgatiteshin si t’i ndanin tokat e banuara me shqiptarë. Në njërën anë ishte ideja e shtetit serbomadh sipas modelit të Perandorisë së Car Dushanit e përmbledhur në programin ‘Naçertania’ të Ilija Garashaninit. Ndërkaq, në anën tjetër, ishte ‘Megali Ideja’ e kreut të shtetit grek Jani Koleti. Që të dy këto projekte dalin në të njëjtin vit: 1844! E mu në këtë vit te shqiptarët Naum Veqilharxhi boton Qarkoren dhe Evetorin e Parë. Pra, fqinjtë tanë projektojnë ekspanzionizëm territorial, ndërkaq ne shqiptarët gjuhë, alfabet e abetare.

Perandoria Osmane kishte nisur reformat centralizuese të Tanzimatit që shkaktuan kryengritje të shumta popullore. Borxhet e Perandorisë Osmane sa vie e shtoheshin, saqë në vitin 1875 borxhet e jashtme të saj kishin arritur në 5,3 miliardë franga ari kurse nga të ardhurat shtetërore vjetore 37% ishin dedikuar vetëm për të paguar kamatën e huave.

300 përfaqësues shqiptarë u mbodhën në Prizren, më 10 qershor 1878, atëherë kur rreziku ishte shumë i madh. Paqja e Shën Stefanit ishte nënshkruar ndërsa Kongresi i Berlinit do të hapej tri ditë më vonë.

Lidhja e Prizrenit e formësoi kombin shqiptar por edhe e organizoi atë në aspektin politik e ushtarak. Ata përpiluan programin politik me kërkesa të qarta:

  • Bashkim i vilajeteve shqiptare
  • Ushtri me oficerë shqiptarë
  • Organe qendrore politike
  • Nëpunës që flasin shqip
  • Hapje e shkollave shqipe

Me mobilizimin që bazohej në thirrjen “një luftëtar për çdo shtëpi dhe tre luftëtarë për shtëpi në zona kufitare”, e më së shumti në Malësinë e Madhe ku u mobilizuan të gjithë burrat e aftë për të mbajtur armë, Lidhja e Prizrenit arriti të ketë një çerek milioni shqiptarësh të armatosur e të organizuar. Pas shumë betejave të suksesshme kundër regjimenteve të Perandorisë, Lidhja arriti futjen nën kontroll të shumë qyteteve shqiptare: Vushtrrisë e Mitrovicës, Pejës, Prizrenit e Gjakovës. Ajo mbrojti ushtarakisht Plavën e Gucinë, Grudën e Hotin. Asnjëherë tjetër nuk kemi arritur si komb ta kemi këtë nivel.

Photo by ARMEND NIMANI/AFP via Getty Images)

Në atë periudhë u bëmë bashkë duke e ndërtuar kalimin prej ndjenjës së fuqishme kombëtare tek vetëdija e lartë kombëtare, prej idesë politike te programi politik dhe prej mendimit tek aksioni. Kararnameja (Libri i Vendimeve) parashihte besën e përgjithshme dhe ndalonte gjaqet. Sylejman Vokshi, Abdyl Frashëri dhe Ymer Prizreni ishin në krye të përfaqësuesve tanë. Ata e kuptonin që vetëmohimi dhe bashkimi janë të domosdoshme për lirinë e popullit, për të të mirën e gjithëmbarshme, për ecjen përpara.

Atëbotë u lidhën komitetet e shqiptarëve anembanë trojeve që i popullonin. Kjo ishte lidhja. Ishte lidhja e viseve të ndryshme. Mirëpo, lidhja është edhe historike përveçse gjeografike. Pas Naum Veqilharxhit, natyrisht që erdhën Konstandin Kristoforidhi dhe Naim Frashëri. Ngjashëm sikurse pa Abdyl Frashërin nuk do t’i kishim më pas Ismail Qemalin dhe Hasan Prishtinën. Kjo është mënyra se si brezat e kanë frymëzuar njëri-tjetrin dhe përveçse jemi lidhur në hapësirë jemi lidhur edhe në kohë.

Politikanët e sotëm janë të prapambetur në krahasim me ata të Lidhjes së Prizrenit. Ata e kanë kuptuar se të bashkuar janë më të fuqishëm dhe më afër fitores andaj kanë theksuar të përbashkëtën, atë që na bën të ngjashëm, dhe janë themeluar mbi të. Lidhja e Prizrenit ka qenë shumë bashkëkohore.

10 qershori i Lidhjes së Prizrenit, bashkë me 28 nëntorin e Flamurit të Skënderbeut e të Pavarësisë së Shqipërisë, janë themel historik i asaj që jemi dhe kulm politik i asaj që bëhemi.

Call: +38349676773

Most Popular

5 Libra Falas nga JusufBuxhovi.com

Jusuf Buxhovi, Shkrimtari ynë i famshëm dhe njëri ndër historianët më kredibil i të gjitha kohërave botoi në web faqen e tij...

Avni Mula 04.01.1928 – 29.10.2020

Shuhet në moshën 92 vjeçare Gjigandi i muzikë shqipe AVNI MULA. I lindur më 4 janar të vitit 1928...

Qeveria miratoi Projektligjin për ndarjet buxhetore për v. 2021

Qeveria e Republikës së Kosovës, e drejtuar nga Kryeministri Avdullah Hoti, ka mbajtur sot mbledhjen e  të rregullt, të 38-tën me radhë,...

Dialog n’mes të një Trump-isti dhe Biden-isti shqiptar

Avni AbaziNew York FB Ndaleshim para ekranit duke degjuar politikanët dhe mundoheshim me...

Recent Comments