Wednesday, June 16, 2021
spot_img
HomeSHËNDETSIKryeministri Kurti: S’do të ndalemi deri sa të arrijmë vaksinimin e...

Kryeministri Kurti: S’do të ndalemi deri sa të arrijmë vaksinimin e 60% të popullsisë

Kryeministri i Republikës së Kosovës, Albin Kurti, bashkë me Olivér Várhelyi, Komisioner për Fqinjësi dhe Zgjerim, morën pjesë në ceremoninë e rifillimit të procesit të vaksinimit me Pfizer, donacion ky i Bashkimit Evropian.

Në fjalën e tij, kryeministri Kurti tha se kjo sasi e parë e vaksinave Pfizer, përveç që është shpresëdhënëse, na bënë mirënjohës ndaj shfaqjes së përkrahjes së BE-së në përpjekjet tona për një mjedis sa më të sigurt, jo vetëm për qytetarët tonë, por edhe për të mirëpritur qytetarët e Bashkimit Evropian.

Kryeministri Kurti theksoi se sot po rifillohet procesi i vaksinimit me qëllim që të mos ndalemi dhe të vazhdojmë deri sa të arrijmë objektivin tonë për vaksinimin e 60 për qind të popullsisë.

Qeveria, siç u shpreh ai, është duke punuar pa u ndalur për të rritur furnizimin me vaksina dhe janë në rrugë të drejtë në përmbushjen e këtij qëllimi.

Ndërkaq, Komisioneri Várhelyi tha se kjo është një ditë e mrekullueshme për Ballkanin Perëndimor dhe është ditë e mrekullueshme për Kosovën. Kosova, tha ai, do të marrë pothuajse 100 mijë vaksina nga Pfizer/Biontech. Komisionieri Várhelyi veçoi se në këtë kontribut i tërë sektori shëndetësor i Kosovës do të mund të vaksinohet.

“Do të vazhdojmë të punojmë bashkë me kryeministrin për të siguruar më shumë vaksina, në mënyrë që të vaksinohen të gjithë”, tha ai.

Fjala e plotë e kryeministrit Kurti:

I nderuari Komisioner Varhelyi,

I nderuari ambasador Weidinger,

Të nderuar të pranishëm,

Të nderuar punonjës të mediave,

Të nderuar punëtorë shëndetësorë dhe ju qytetarë që po vaksinoheni

Dua të filloj duke falënderuar çdo palë të përfshirë në realizimin e kësaj ngjarjeje.

Teksa jemi duke punuar çdo ditë  të zvogëlojmë ndikimin dhe  shtrirjen e pandemisë COVID-19, kjo sasi e parë e vaksinave Pfizer, e kësaj pakoje të dërguar nga Bashkimi Evropian, përveç që është shpresëdhënëse, na bënë mirënjohës ndaj shfaqjes së përkrahjes së BE-së në përpjekjet tona për një mjedis sa më të sigurt, jo vetëm për qytetarët tonë, por edhe për të mirëpritur qytetarët e Bashkimit Evropian.

Kjo simbolikë me shumë vlerë, na jep besimin se rrugëtimi jonë shumë i nevojshëm dhe i qartë drejt BE-së, është i mbushur me miq, ndër të cilët sot do të veçoja dhe do të falënderoja shtetin austriak, së bashku me Ambasadën e Austrisë në Kosovë, e cila ishte lehtësuese në këtë proces.

Vetëm duke qenë së bashku, mund ta fitojmë luftën kundër COVID-19 dhe ky është mësimi nga pandemia e mënyra jonë në gjithë këtë fushatë.

Sot po e rifillojmë procesin e vaksinimit me qëllim që të mos ndalemi dhe të vazhdojmë deri sa të arrijmë objektivin tonë për vaksinimin e 60 për qind të popullsisë.

Ne synojmë të vaksinojmë grupet e rrezikuara para stinës së verës dhe të vijojmë me pjesën tjetër në përputhje me Planin Shtetëror të Vaksinimit kundër COVID-19.

Qeveria është duke punuar pa u ndalur për të rritur furnizimin me vaksina dhe jemi në rrugë të drejtë në përmbushjen e këtij qëllimi.

Ne jemi të bindur se në bashkëpunim me vendet e tjera anëtare të BE-së, do të mund të vazhdojmë të përfitojmë nga ky mekanizëm i Pakos Ndihmëse përmes marrëveshjeve të mëtejme.

Edhe një herë ju falënderoj për gjithë mbështetjen dhe le të triumfojmë në këtë betejë së bashku e sa më parë.

spot_img

Most Popular

Recent Comments