Wednesday, June 16, 2021
spot_img
HomeKRYESOREKryeministri Kurti: Instituti për krimet e luftës duhet ta ketë përkrahjen e...

Kryeministri Kurti: Instituti për krimet e luftës duhet ta ketë përkrahjen e të gjithëve nëse duam të ketë sukses

“Instituti duhet ta ketë përkrahjen e të gjithëve nëse dëshirojmë që të ketë sukses. Ne nuk dëshirojmë që të hedhim poshtë gjithë punën e mirë që është bërë deri tash prej nismave të shumta. Dëshirojmë që duke marrë parasysh punën e deritanishme, të shkojmë një hap, shumë hapa më tutje”, ka thënë Kryeministri i Republikës së Kosovës, Albin Kurti, në takimin e parë të Grupit Punues për Institutin për krimet e kryera gjatë luftës.

Në takim ishin të pranishëm ministrja e Drejtësisë Albulena Haxhiu, këshilltarja për çështje juridike e kryeministrit Kurti, Furtuna Sheremeti, drejtori i Institutit të Mjekësisë Ligjore, Arsim Gërxhaliu, zyrtarë shtetërorë dhe ekspertë për drejtësi transicionale, juristë, përfaqësues të shoqatave dhe të organizatave që merren me mbrojtjen e të drejtave të njeriut, dokumentues të krimeve të luftës, ekspertë të trashëgimisë kulturore etj.

Në fjalën e tij, kryeministri Kurti tha se do të përgatitet koncept dokumenti mbi mekanizmin për krimet e kryera gjatë luftës në Kosovë.

“Konsiderojmë, që është e rëndësishme, që të adresohen edhe krimet e tjera që kanë ndodhur në Kosovë gjatë luftës së fundit, e që janë krimet kundër njerëzimit dhe gjenocidi, pra përveç se krimet e luftës”, tha Kryeministri Kurti, duke shtuar se askush nuk duhet të pretendojë që lehtësisht do të arrijmë të zgjidhim krejt problemet që janë shkaktuar që 22 vite.

Kryeministri theksoi rëndësinë e madhe që ka nisma për themelimin e institutit. Tha se ky është momenti i fundit për ne.

“Ne nuk e kemi luksin që të gabojmë kësaj radhe. Nuk e kemi mundësinë të eksperimentojmë e të dështojmë në eksperimentet tona. Për këtë arsye është thelbësore që të bashkojmë forcat dhe ta përkrahim njëri-tjetrin. Të gjithë. Shoqëria civile, organizatat shtetërore, hulumtuesit e pavarur, ekspertët e jashtëm, qytetarë, të gjithë”, tha kryeministri Kurti dhe shtoi: “…paqja kërkon drejtësi, por edhe rehabilitim. Në Kosovë nuk ka ndodhë asnjëra, e viktimat e luftës i meritojnë të dyja”.

Fjala e plotë e Kryeministrit Kurti:

E nderuar ministre e Drejtësisë, znj. Albulena Haxhiu,

Të nderuar anëtarë të grupit punues,

Të nderuar të pranishëm,

Vitin e kaluar, diku 2 javë para kësaj date sot, përkatësisht më 20 maj, u patëm takuar këtu, në këtë sallë, për takimin e parë të punës të ekipit, i cili u pat formuar, me qëllim të përgatitjes së analizës për themelimin e Institutit për krime të kryera gjatë luftës.

Ekipi nuk pati jetë të gjatë, por misioni për të cilin u pat mbledhur, ka rezultuar me sukses. Analiza e paraparë është kryer, gjë që na lejon sot të vazhdojmë me fazën e dytë të këtij procesi – gjegjësisht me hapjen e takimit të parë të grupit punues, që do të përgatisë koncept dokumentin mbi mekanizmin për krimet e kryera gjatë luftës në Kosovë.

E kemi përmendur edhe herën e kaluar për ju që keni qenë prezent aso kohe, por e konsideroj të rëndësishme që të theksohet përsëri çështja e emërtimit të Institutit.

Besoj e keni vërejtur menjëherë, që emri i Institutit, të cilit i referohemi nuk është “Instituti për krime lufte” por Instituti për krime të kryera gjatë luftës. Kjo për shkak se konsiderojmë, që është e rëndësishme që të adresohen edhe krimet e tjera që kanë ndodhur në Kosovë gjatë luftës së fundit, e që janë krimet kundër njerëzimit dhe gjenocidi, pra përveç se krimet e luftës.

Të gjithë jemi të vetëdijshëm që adresimi i krimeve të kryera në Kosovë është shumë larg prej asaj që ne duam e neve na duhet.

Askush nuk duhet të pretendojë që lehtësisht do të arrijmë të zgjidhim krejt problemet që janë shkaktuar që 22 vite. Do të jetë e vështirë, shumë e vështirë.

Kjo është situata, në të cilën ne ndodhemi, por të cilën kemi mundësi ta ndryshojmë dhe mbajmë përgjegjësi të lartë.

Njerëzit janë të lodhur, viktimat kanë humbur besimin në sistem, gjeneratat po vdesin besa përditë dhe kështu po humbet kujtesa primare e luftës

Ky është një rrezik i madh që na kanoset e nuk guxojmë të lejojmë të na ndodhë. Duhet të sigurohemi që të bëjmë më të mirën që mundemi, e të adresojmë gjithë atë sa ka ndodhur gjatë luftës së fundit në Kosovë.

Kemi më shumë se 13.000 persona të vrarë gjatë luftës së fundit.

Mijëra persona të përdhunuar.

Mijëra të torturuar e të burgosur.

Kemi përjetuar dëme shkatërruese që asnjëherë nuk i kemi matur tamam.

Edhe sot, 22 vjet pas luftës nuk kemi një shifër që do të mund të na tregonte se cili është dëmi ekonomik që lufta i ka shkaktuar vendit tonë. 

Po, kemi shifra të ndryshme në të cilat thirremi, por dëmi i shkaktuar është shumë më i madh. Thjeshtë nuk e kemi matur.

E situata është edhe më keq në raport me dëmin emocional e psikologjik, të cilin nuk e kemi adresuar aspak si duhet për këto vite.

Kjo është arsyeja pse vitin që shkoi patëm filluar punën me një ekip që do të merrej ekskluzivisht me përgatitjen e analizës, se cila do të ishte mënyra më e mirë për të proceduar me themelimin e Institutit.

Një prej konstatimeve të analizës, të cilën ju të gjithë do ta keni në dispozicion në punëtorinë e parë që do të mbani, është që Instituti duhet të themelohet me ligj dhe të ketë strategji funksionale. 

Instituti duhet të ketë linjën e vet buxhetore.

Duhet të ketë ekspertë të fushës.

Të jetë në koordinim me institutet e tjera në rajon e besa edhe ndërkombëtarisht.

Instituti duhet ta ketë përkrahjen e të gjithëve nëse dëshirojmë që të ketë sukses.

Ne nuk dëshirojmë që të hedhim poshtë gjithë punën e mirë që është bërë deri tash prej nismave të shumta. Dëshirojmë që duke marrë parasysh punën e deritanishme, të shkojmë një hap, shumë hapa më tutje.

Jemi me fat që në mesin tonë kemi njohës shumë të mirë të fushës të cilët përveç punës së tyre personale në këtë fushë, sjellin edhe kontaktet ndërkombëtare, që kanë në drejtësinë tranzicionale.

Herën e kaluar i kam përmendur shprehimisht profesorin Ismet Salihu, këshilltaren time Furtuna Sheremeti, avokaten Nora Visoka – Weller, Arkivat, Agjencinë, Universitetin,  kështu që sot s’po përsëritem e s’po ju marr kohë me këtë pikë. Jam i bindur që tash të gjithë njiheni mirë mes vete.

Megjithatë, ajo çka dëshiroj të përmend shprehimisht, është rëndësia e madhe e kësaj nisme, dhe fakti që ky është momenti i fundit për ne.

Ne nuk e kemi luksin që të gabojmë kësaj radhe.

Nuk e kemi mundësinë të eksperimentojmë e të dështojmë në eksperimentet tona.

Për këtë arsye është thelbësore që të bashkojmë forcat dhe ta përkrahim njëri-tjetrin.

Të gjithë.

Shoqëria civile, organizatat shtetërore, hulumtuesit e pavarur, ekspertët e jashtëm, qytetarë, të gjithë.

Sepse, qëllimi i të gjithë neve besoj që është i përbashkët, e ka të bëjë me  institucionalizimin, me mbrojtjen dhe me ruajtjen e kujtesës kolektive, e cila nuk do të na shërbejë vetëm neve, por edhe gjithë gjeneratave të ardhshme pas nesh.

Historia është e mbushur me mësime të dhimbshme. Por mbase pjesa më e rëndësishme për t’u mbajtur në mend është që paqja kërkon drejtësi, por edhe rehabilitim. Në Kosovë nuk ka ndodhë asnjëra, e viktimat e luftës i meritojnë të dyja.

Ju faleminderit!

spot_img

Most Popular

Recent Comments