Monday, April 12, 2021
spot_img
HomeKRYESOREKryekuvendarja Osmani: Investimi në shëndetësi nuk është shpenzim, po investim afatgjatë në...

Kryekuvendarja Osmani: Investimi në shëndetësi nuk është shpenzim, po investim afatgjatë në mireqenie

U mbajt tryezë lidhur me senzibilizimin dhe përkrahjen e grave në kuadër të muajit të Kancerit të Gjirit

Osmani: Investimi në shëndetësi nuk është shpenzim, po investim afatgjatë në mireqenie

Komisioni për Shëndetësi dhe Mirëqenie Sociale, sot mbajti tryezë me përfaqësues të institucioneve të vendit, organizatave që merren me përkrahjen e grave me kancer të gjirit, si dhe gra të mbijetuara nga kanceri i gjirit, në lidhje me senzibilizimin dhe përkrahjen e grave në kuadër të muajit të Kancerit të Gjirit. 

Kryetarja e Komisionit për Shëndetësi dhe Mirëqenie Sociale, Albena Reshitaj, si iniciuese e këtij organizimi, foli rreth sensibilizimit të domosdoshëm për gratë kosovare si dhe institucionet shtetërore lidhur me problemin e kancerit të gjirit.

Ajo tha se vendi ka shënuar progres sa i përket zbulimit të hershëm të kancerit, ndërsa bëri të ditur se është iniciuar debat parlamentar në lidhje me këtë çështje, që do të pasohet me propozimin e një rezolute. 

“Jemi këtu bashkë për të diskutuar, për të bërë apel për një sensibilizim më të madh dhe për të theksuar edhe më shumë rëndësinë e veprimeve konkrete, në ndihmë të grave të prekura nga kanceri i gjirit”, theksoi Reshitaj. 

Në fjalën e saj të rastit, kryetarja e Kuvendit, dr. Vjosa Osmani, tha se shifrat e të prekurve me kancer në botë janë alarmante, përfshirë raste të shumta edhe në Kosovë, prandaj, sipas saj, duhet të punohet me përgjegjësi në ngritjen e kapaciteteve profesionale e diagnostifikuese.

“Jemi këtu për t’i kujtuar gratë që na lanë, si dhe për të festuar fitoret e atyre që e mposhtën fuqishëm këtë sfidë. Këto gra me rrëfimet e tyre po bëjmë ndryshimin e vërtetë. Nuk është larg periudha e kaluar kur kjo çështje problematike ishte mbuluar nga heshtja shoqërore”, theksoi kryeparlamentarja Osmani. 

Duke kërkuar që kjo temë të mos mbetet në heshtje, kryetarja e Kuvendit e konsideroi jetike që gratë dhe vajzat të vetëdijesohen rreth simptomave dhe nivelit të rrezikshmërisë. 

Ajo tha se investimi në shëndetësi nuk është shpenzim, po investim afatgjatë në mireqenie.

“Në çdo minutë vdes një grua nga kanceri i gjirit në botë. Institucionet kanë përgjegjësi të punojnë në ngritjen e kapaciteteve profesionale e diagnostifikuese”, theksoi kryeparlamentarja Osmani.

Kryetarja e Kuvendit bëri thirrje që të rriten kapacitetet diagnostikuese, të investohet në edukim dhe preventivë, sikurse edhe të ekzistojë organizim shtetëror për skrening të hershëm dhe të rregullt. 

Më pas, fjalën e mori edhe drejtori i Klinikës së Onkologjisë, Ilir Kurteshi, i cili tha se grave me kancer duhet tu ofrohet trajtim i duhur, në mënyrë që mos të kërkojnë trajtim jashtë vendit. Ai bëri të ditur se 50 për qind e rasteve të me kancer janë zbuluar në fazën ë dytë, që do të thotë se ka rritje të vetëdijes për këtë sëmundje.

Nafije Latifi, e mbijetuar nga kanceri, tha se dy vjet pasi ka zbuluar se është e prekur nga kanceri, ka themeluar organizatën “Jeta/Vita”, për tu dalë në ndihmë grave të prekura nga kjo sëmundje.

Në këtë tryezë diskutuan edhe pjesëmarrës të tjerë, të cilët adresuan shqetësimet e tyre dhe kërkuan angazhim më të madh institucional e shoqëror, në parandalimin dhe luftimin e kësaj sëmundjeje.

spot_img

Most Popular

Recent Comments