Friday, April 16, 2021
spot_img
HomeKRYESOREKrijimtaria është terapi, ndoshta edhe terapia më e mirë shpirtërore

Krijimtaria është terapi, ndoshta edhe terapia më e mirë shpirtërore

“Feniksi”  ishte libri i parë i tij, ndërsa para dy muajve nga shtypi nxorri “Ditari i Pandemisë: Rrëfime nga karantina”. Udhëtimin e tij letrar, intelektual dhe personal, shkrimtari  z. Agim Vinca e shpalosi mbrëmë në Qendrën për Edukim dhe Kulturë “Libart”, për të gjithë të intëresuarit, ku madje edhe recitoi vargjet e tij dhe të shkrimtarëvë të tjerë shqipfolës.

Ndonëse ka kaluar dekada duke iu përkushtuar artit të të shkruarit, studiesi letrar dhe profesori z. Vinca, ende mendimet e para i vendosë në letër. Njejtë kishte vepruar edhe me librin e tij të fundit, “Ditari i Pandemisë: Rrëfime nga karantina”, i cili iu shtohet bagazhit të pasur letrar të Vincës të përbërë nga 25 tituj librash, shumë përkthime, kritika e studime letrare. 

Por çka e bëri z.Vincën që përmes një ditari t`iu rikthehet prozës?

“Thashë po e lë një dëshmi, qoftë edhe 50 faqe. Ky libër ishte i paplanifikuar por lindi spontanisht. Shënimet e para i  kam bërë me 14 mars por, vazhdova 80 ditë me radhë dhe secila ditë ka një titull, dhe një skicë që ka të bëjë me ditët e mia, familjen, mendimet, meditimet. Libri është një prozë e dokumentuar, ndonëse unë e kam nisur fillimisht si poezi.”

Krahas kësaj, z.Vinca tregoi edhe për dallimet e të shkruarit para dhe gjatë karantimit, me ç’rast shtoi se kufizimi ishte më i lehtë për të, së për të tjerët, pasi i përshtatej natyrës së punës së tij. Madje ia shtoi edhe motivin që të merrej me ndonjë gjë të re çdo ditë. Ndërsa tërhoqi një paralele mes këtyre dhe statusit të të shkruarit gjatë gjysmës së dytë të shekullit të kaluar.

“Kur kam filluar të shkruaj unë kishte atmosferë, gjallëri, interesim. Por ekzistonte cenzura, detyroheshim të shkruanim ashtu siç kërkohej. Por poezia atëherë ishte i vetmi mjet ku mund të thuheshin të vërtetat e ndaluara. Nëpërmjet poezisë në i artikulonim problemet tona shoqërore e kombëtare.”

Poezi e tij, “Qentë e Sodomës”, të cilën z.Vinca e intepretoi para publikut mbrëmë, i përshtatej frymës së atëhershme letrare e kombëtare.

Më tutje, profesori z. Vinca, foli edhe për artin e krijimtarisë, që sipas tij është terapi, ndoshta edhe terapia më e mirë shpirtërore.

“Janë disa sekrete universale që s’mund t’i shpjegoj gjithmonë, e që lidhen me qënien komplekse të njeriut. Njeriu është një mikrokozmos. Detyra e lëtërsisë është të hulumtojë realitetin.”

Ndërsa poezia, te ky studiues letrar, zë një vend të veçantë. 

“Në fakultet lindi dashuria ime e madhe për poezinë që më ndjek pas edhe sot.  Poezia është pasion, poezia është si një këngë e bukur, e krijimtaria është kërkim, kërkim i vazhdueshëm. Sot është e vështirë të ndiqet poezia, ka shumë poetë, poetë të Facebook-ut, ndërsa gazetat nuk botojnë më poezi”.

Lëvzijet e vazhdueshme, fillimisht nga Veleshta në Strugë, më pastaj Prishtina, Shkupi, Parisi, e kanë formësuar shëmbëlltyrën e tij letrare e intelektuale. Z. Vinca me nostalgji e kujtoi momentin kur nisi jetën në Prishtinë. 

“Kam zbritur nga autobusi, viti 1966, në një natë të ftohtë tetori, para hotel “Bozhurit”. Prishtina atëherë  ishte një qytet universal kombëtar, ishim të mirëpritur, kishte një dashuri, një harmoni. Shkupi për mua ishte i huaj.”

Ai rikujtoi Prishtinën, shëtitjet nëpër qytet, jetën studentore, ëndrrat dhe idhujt e brezit të tij. 

Pyetur për mënyrën se si shtetit maqedon i trajton autorët shqiptarë, z.Vinca u përgjigjë duke thënë se atë që nuk e bëjnë institucionet po e bën internet. 

“Duhet një komunikim më i madh mes qendrave të shqiptarëve, mes Tiranës, Prishtinës dhe Shkupit. Tirana ndër këto nuk e kryen siç duhet rolin e saj. ”

Njejtë siç u shpreh edhe i ftuari i parë i sërisë së të takimeve me shkrimtarë z. Mehmet Kraja, edhe z. Vinca tha se standardi duhet të respektohet.

“Kombi shqiptar ka një gjuhë shqipe, kështu ka qenë gjithmonë, dhe ajo duhet të flitet dhe të respektohet në standard, kemi dialekte por kemi vetëm një gjuhë.” 

Z. Agim Vinca, po vazhdon të shkruajë e ta përmbushë përbrendësinë e tij artistike e letrare, ndërsa po pret që shumë shpejt ta botojë librin e tij të radhës “Konkubina dhe rrëfime të tjera”, i cili do ta mbajë vulën e shtëpisë botuese nga Maqedonia SYTH. 

Takimi me z. Agim Vincën, i shtohet listës së aktiviteteve që Qendra “Libart” është duke i organizuar tash e tre muaj. Takimi i parë ishte me shkrimtarin dhe kryetarin e AShAK-ut, z. Mehmet Krajën, ndërsa do të pasohet me takime të tjera të shkrimtarëve elitarë shqiptarë.

spot_img

Most Popular

Recent Comments