Monday, January 25, 2021
Home KRYESORE Kosova i ka të plotësuara kushtet për liberalizim të vizave

Kosova i ka të plotësuara kushtet për liberalizim të vizave

Prishtinë, 6 tetor 2020

Kryeministri i Republikës së Kosovës, Avdullah Hoti, i shoqëruar nga zëvendëskryeministrat Besnik Tahiri dhe Driton Selmanaj, ka pranuar sot Raportin për Kosovën 2020, nga shefi i zyrës së BE-së në Kosovë/Përfaqësues i Posaçëm të BE-së në Prishtinë, Tomáš Szunyog, me anë të së cilit Komisioni Evropian e mat progresin e një vendi në përmbushjen e agjendës evropiane brenda vitit kalendarik.

Pas takimit, kryeministri Hoti së bashku me ambasadorin Szunyog kanë mbajtur një konferencë të përbashkët me gazetarë.


Fjala e plotë e kryeministrit Hoti në konferencë
:


Ju falënderoj për prezencën!


Më lejoni të falënderoj Ambasadorin për dorëzimin e Raportit për Kosovën, një raport i rregullt që i dorëzohet vendeve që aspirojnë për integrim në BE.

Unë kisha kënaqësinë bashkë me zëvendëskryeministrat dhe me stafin tjetër të zyrës time ta pranoj sot formalisht këtë Raport. Raporti tanimë është bërë publik dhe besoj që në orët në vijim ju do ta merrni dhe do të jeni në gjendje që vet të identifikoni çështjet kyçe, sfidat kyçe që janë identifikuar nga BE-ja lidhur me Kosovën gjatë vitit të fundit.

E kam për kënaqësi të them që, pavarësisht vështirësive nëpër të cilat kemi kaluar të ndryshimeve institucionale që kanë ndodhur në vend, të ndërrimit të qeverive, është bërë progres. Arritja më e madhe e Kosovës sigurisht në këtë proces mbetet Marrëveshja e Stabilizim-Asociimit, e Prillit të vitit 2016-të, pra, që ka hyrë në fuqi në Prill të vitit 2016.

Raporti me të drejtë e nxjerrë në pah që, Kosova i ka përmbushur të gjitha kushtet për liberalizimin e vizave qysh nga Korriku i vitit 2018-të, dhe atë që po bëjmë tash si qeveri po kujdesemi që këto kushte të mbeten të plotësuara.

Më vjen mirë që edhe Raporti e ka evidentuar dhe unë bisedova gjerësisht me Ambasadorin që qasja jonë si Qeveri e re, besoj është vënë re tani nga të gjithë partnerët tanë, një qasje e fuqishme e vendosur për reforma për integrim evropian për të çuar përpara këtë agjendë.

Besoj kemi dhënë në këta katër muaj të qeverisjes evidencë të fuqishme se jemi partnerë kredibil për integrim evropian dhe në regjion. Kemi treguar edhe guxim të marrim vendime jopopuliste në interes të vendit dhe aftësi për të vendosur rregull dhe për të shtyrë përpara këto reforma.

Vlerësoj që Raporti me të drejtë e nxjerrë që marrë në terma relativ, krahasuar edhe me vendet e tjera, Kosova e ka menaxhuar mirë pandeminë dhe rezultatet e saj jemi duke i parë tash. Është evident fakti që Kosova po largohet nga lista e vendeve me rrezikshmëri të lartë. Është bërë progres në Reformën e Administratës Publike por, ka ende shumë punë për të bërë me disa ligje që janë kthyer prapa nga Gjykata Kushtetuese, që janë përgatitur në qeverinë e kaluar dhe tash ne duhet t’i adresojmë ato sa më shpejtë që është e mundshme.

Krimi dhe korrupsioni mbetet problem në vete, por ju e keni parë dhe e them me kënaqësi se gjatë katër muajve të qeverisjes është larguar nga diskursi publik fjala korrupsion. Është larguar jo duke insistuar që të largohet, por duke treguar me veprime krejt anëtarët e qeverisë në çdo nivel të emërimit, duke dhënë evidencë të fortë të luftës tonë të vendosur kundër krimit dhe kundër korrupsionit.

Në veçanti në javët e fundit keni parë veprime të fuqishme të Policisë së Kosovës, që nuk janë parë ndoshta në 10 vjetët e fundit në aksione të organizuara mirë, të mbështetura edhe nga partnerët tanë ndërkombëtarë në fushën e luftimit të krimit, të cilat kanë prodhuar rezultate që disa qeveri me radhë nuk kanë pasur mundësi që t’i adresojnë dhe t’i përmbyllin ato çështje. Dhe nuk do të ndalemi këtu. Do të vazhdojmë më tutje deri në fund.

Na duhen ende masa të fuqishme edhe në legjislacion, por në veçanti në veprime konkrete sa i përket pastrimit të parave. Të gjitha institucionet që janë të përfshira në këtë fushë duhet të punojnë shumë që të ndërmarrim veprimet e duhura. Kemi krijuar legjislacionin e nevojshëm në përputhje me direktivat e BE-së dhe tani institucionet përkatëse duhet të kryejnë punën e vet.

Të drejtat njerëzore po respektohen plotësisht dhe më vjen mirë që raporti nxjerrë në pah këtë çështje, përfshirë këtu edhe lirinë e mediave që është e garantuar. Unë ndaj shqetësimin e njëjtë me Komisionin Evropian për mediumin tonë publik dhe për interferimet politike që bëhen në mediumin publik.

Më vjen mirë që pjesë e këtij raporti është edhe Pakoja Investive për Ballkanin Perëndimor, ku janë përshirë një numër i projekteve që Bashkimi Evropian do të financojë, projekte që janë vetëm në Kosovë dhe projekte të tjera që janë të natyrës regjionale, përfshirë këtu autostradën Prishtinë- Merdar, hekurudhën Prishtinë-Merdar, pastaj lidhja me tutje për Serbi dhe më tutje, projektin e Ibër Lepencit, të fazës të dytë, gazpërçuesi që e lidh Kosovën me Maqedoninë e Veriut, një listë e gjatë e projekteve që kanë të bëjnë me menaxhimin e ujërave të ndotura në Prishtinë në veçanti, sepse  fokusi i BE-së në çështje ambientaliste është mjaft i fuqishëm, siç është e fuqishme edhe qasja jonë në programin qeveritar për çështjet që lidhen me mbrojtjen e ambientit edhe projekti i natyrës regjionale që e lidh Kosovën me infrastrukturën rrjetëzim me të gjitha vendet e Ballkanit Perëndimorë.

Ne jemi gjithashtu të vendosur që të çojmë përpara atë që quhet tash agjendë, një plan i agjendës së gjelbër për Ballkanin Perëndimor në kuadër të kornizës financuese shumë vjeçare të Bashkimit Evropian dhe në kuadër të IPA 3 që është pjesë e kësaj kornize.

Ne tani në qeveri i kemi vendosur strukturat e nevojshme në Zyrën për Integrime Evropiane brenda Zyrës së Kryeministrit dhe me mbikëqyrjen e njërit nga zëvendëskryeministrat do të ketë një mbikëqyrje të plotë të të gjitha ministrive dhe agjencive që lidhen me adresimin e sfidave dhe që janë paraparë në këtë raport.


Në ditët e ardhshme ne do ta detajojmë një plan veprimi, i cili do të miratohet në qeveri, për të adresuar rekomandime të nxjerra edhe të dhëna në këtë raport.

Mendoj që është momenti i duhur për Qeverinë e Republikës së Kosovës në kohën kur tash po përgatisim buxhetin e vitit 2021 dhe mandej projeksionet për 2020 dhe 2023, ndërkohë që po e bisedojmë programin e ri me FMN-në, ndërkohë që e finalizojmë planin pesë vjeçar të investimeve dhe përgatisim strategjinë zhvillimore kombëtare dhjetë vjeçare. Ky raport vjen në momentin e duhur për të na mundësuar neve që ta mbajmë fokusin qartë në reformat që duhet të marrim parasysh dhe çojmë përpara procesin tonë të integrimit evropian.


Falënderoj edhe njëherë Ambasadorin. Ambasadori është në fillim të mandatit të tij. Besoj që edhe për të është momenti i duhur që bashkë ta shqyrtojmë këtë raport dhe së bashku ta përgatisim planin e veprimit për adresimin e sfidave që janë sfida të Kosovës, nuk janë sfida të BE-së.

Most Popular

Recent Comments