Friday, December 3, 2021
spot_img
HomeKRYESOREKonferencë e përbashkët e kryeministrave Hoti & Rama

Konferencë e përbashkët e kryeministrave Hoti & Rama

Tiranë, 2 tetor 2020

Pas mbledhjes së përbashkët të dy qeverive, Qeverisë së Republikës së Kosovës dhe Këshillit të Ministrave të Republikës së Shqipërisë dhe pas nënshkrimit të marrëveshjeve, memorandumeve, protokolleve dhe Kalendarit të përbashkët kulturor, kryeministri i Republikës së Kosovës, Avdullah Hoti dhe kryeministri i Republikës së Shqipërisë, Edi Rama, kanë mbajtur një konferencë të përbashkët për gazetarë.

Fjala e plotë e kryeministrit Hoti në konferencën për media:

Është kënaqësi për mua të qëndroj sot në Tiranë dhe nder i veçantë për mua që të kryesoj mbledhjen e dy qeverive tona, një traditë tanimë e etabluar.

Dëshiroj të falënderoj kryeministrin Rama dhe dy ekipet tona për të gjitha përgatitjet që janë bërë, përgatitjen e të gjitha këtyre marrëveshjeve, që sot i nënshkruam në fusha të ndryshme, nga kujdesi që ne tash në mënyrë institucionale po tregojmë për shqiptarët në Luginën e Preshevës; marrëveshja, për të cilën foli kryeministri Rama, e mobilitetit në punë, ku i bënë bashkë dy tregjet tona; për lëvizje të lirë të qytetarëve për qëllime të punësimit; ndihmën që ia japim njëri-tjetrit në rast të fatkeqësive të ndryshme natyrore; në fushën e kulturës me kalendar të përbashkët të filmit, si dhe plot fusha të tjera, siç janë përpjekjet tona të përbashkëta për të luftuar pandeminë COVID-19, pastaj në fushën e sigurisë, atë të ekonomisë, në kuptimin e evazionit fiskal dhe në plot çështje të tjera.

Unë nuk dëshiroj të them fjalë të mëdha për kuptimin historik të këtyre marrëveshjeve, por jam i bindur që krijojnë një momentum të ri në bashkëpunimin tonë ndërshtetëror, sepse janë projekte që i lidhin fuqishëm ekonomitë dhe shoqëritë tona. Por, mbi të gjitha, në shumicën e këtyre marrëveshjeve, ne kemi një këndvështrim rajonal në qasjen që e kemi, edhe në infrastrukturë, si për shembull projekti i hekurudhës, që lidhë portin e Durrësit me Prishtinën dhe pastaj vazhdon në pjesë të tjera të Ballkanit dhe Evropës Qendrore, por edhe projekte të tjera që kanë implikime regjionale.

Me këto marrëveshje dhe me qasjen që kemi ndërtuar, bashkëpunimin me kryeministrin Rama, besoj se si dy vende tanimë shihemi dhe punojmë intensivisht që të kontribuojmë në stabilitetin rajonal dhe në zhvillimin e mbarë rajonit, duke i sjellë bashkë të gjithë kontribuesit e këtij stabiliteti edhe të zhvillimit në rajon.

Me Marrëveshjen e Uashingtonit pa dyshim është krijuar një momentum i ri, jo vetëm në Kosovë dhe Serbi, por në gjithë rajonin dhe tani ne do të punojmë ngushtë me të gjitha vendet për të shfrytëzuar maksimalisht përfitimet e kësaj marrëveshjeje, por edhe ndihmës që tash presim ta konkretizojmë në javët e ardhshme bashkë me BE-në në funksion të tejkalimit të pengesave që kemi për bashkëpunimin në rajon.

Mbetemi të përkushtuar si Kosovë, që të jemi burim i stabilitetit në rajon dhe partner konstruktiv të të gjitha iniciativave rajonale, me të vetmin qëllim, që është integrimi euroatlantik i gjithë rajonit.

Sa më shumë që i gjithë rajoni dhe në veçanti disa vende të tij shkëputen nga lindja dhe lidhen me perëndimin, besoj që është në interes të të gjithë shqiptarëve në Ballkan.

Pres me padurim që ta mirëpres kryeministrin Rama në Prishtinë, në Prizren, për të vazhduar me dy marrëveshjet e rëndësishme, atë të doganave dhe Portit të Durrës dhe për të funksionalizuar disa marrëveshje të tjera, si dhe për të zhvilluar konceptin e idesë se çfarë do të bëjmë që ta transformojmë qytetin historik të Prizrenit dhe ta përgatisim për shënimin e 150-vjetorit të Lidhjes së Prizrenit.

Faleminderit për mikpritjen dhe përgatitjen e kësaj mbledhjeje!

spot_img

Most Popular

Recent Comments