Tuesday, October 26, 2021
spot_img
HomeKRYESOREINPO: Transparenca financiare e komunave Ferizaj, Gjilan, Prishtinë

INPO: Transparenca financiare e komunave Ferizaj, Gjilan, Prishtinë

INPO publikon raportin: “Transparenca financiare e komunave (Ferizaj, Gjilan, Prishtinë)” Iniciativa për Progres, sot përmes një konferencë online ka publikuar raportin e monitorimit “Transparenca financiare e komunave (Ferizaj, Gjilan, Prishtinë)”.

Duke qenë se jemi në një periudhë kur po përballemi me pandeminë COVID-19, situatë e cila pothuajse ka paralizuar jetën publike dhe institucionale, INPO në raportin e publikuar ka bërë vlerësimin e performancës së komunës në shtyllën e transparencës financiare.

Gjetjet tregojnë së komunat në përgjithësi kanë zhvilluar një kulturë të transparencës dhe llogaridhënies. Shumica e dokumenteve që konsiderohen apo radhiten nën shtyllën e transparencës financiare, publikohen nga komunat e monitoruara. Prishtina është nivel krejt tjetër krahasuar më komunat e tjera. Kjo komunë ka treguar vazhdimisht se është e përkushtuar në avansimin e transparencës komunale dhe këtë e ka treguar përmes publikimit të pothuajse secilit dokument që konsiderohet publik sipas ligjit. Gjatë monitorimit të faqes zyrtare të komunës së Prishtinës, Ferizajt dhe Gjilanit, kemi vërejtur dallime të mëdha sa i përket publikimit të dokumenteve zyrtare nga ana e institucioneve, përderisa në komunën e Prishtinës pothuajse të gjitha informatat dhe dokumentet komunale janë të hapura për publikun, ndërsa në komunën e Ferizajt dhe atë të Gjilanit janë të përsëritshme.

Megjithatë, INPO ka gjetur se komunat e monitoruara duke përfshirë edhe Prishtinën, nuk kanë publikuar raportin tremujor të shpenzimeve për periudhën e parë të këtij viti (janar – mars 2020). Ndërkaq, komuna e Ferizajt dhe Gjilanit, nuk ka publikuar as raportin vjetor të buxhetit për vitin 2019, i cili sipas ligjit do të duhej të publikohej më së largu deri më 31 mars të këtij viti.

Po ashtu, INPO ka gjetur se komuna e Ferizajt dhe Gjilanit nuk ka publikuar as listën e investimeve kapitale të planifikuara për vitin 2020.

INPO vlerëson se mos publikimi i raporteve financiare vjetore dhe atyre tre (3) mujore dëmton interesin publik dhe është në kundërshtim me kërkesat ligjore për transparencë financiare e buxhetore si dhe llogaridhënie ndaj publikut dhe qytetarëve. Organet e komunës sipas kornizës ligjore të aplikueshme në Kosovë, obligohen që vendimet, aktivitetet dhe dokumentet, të bëhen transparente dhe të qasshme për publikun sipas afateve të caktuara ligjore dhe brenda kufizimeve ligjore të së drejtës për qasje në dokumente publike.

Me qëllim të përmirësimit të transparencës financiare të komunave INPO, dhe zbatimit të dispozitave ligjore për transparencë në komuna, ka hartuar rekomandime konkrete për secilën komunë të monitoruar:

· Për komunën e Ferizajt: Komuna e Ferizajt duhet të jetë më proaktive në mirëmbajtjen e ueb faqes zyrtare dhe publikimin e dokumenteve buxhetore, siç janë raportet e shpenzimeve.

INPO rekomandon që raportet të hartohen në mënyrë detaje sipas kërkesave ligjore duke prezantuar çdo kategori të shpenzimit.

· Për komunën e Gjilanit: INPO i rekomandon komunës së Gjilanit të trajtojë më shumë seriozitet dhe shpejtësi çështjet e transparencës financiare. Po ashtu, kjo komunë duhet të jetë më e hapur sa i përket informimit të qytetarëve rreth statusit të investimeve kapitale në komunë duke përfshirë edhe emërtimin adekuat të dokumenteve financiare, në mënyrë që qytetarët të kenë qasje më të lehtë.

· Për komunën e Prishtinës: Komuna e Prishtinës është komuna më e dalluar, e cila publikon të gjitha llojet e të dhënave të kërkuara me ligj. Megjithatë, INPO i rekomandon komunës së Prishtinës që të publikoj edhe listën e projekteve të përfunduara gjatë viteve paraprake, në mënyrë që qytetarët dhe publiku të jenë të informuar rreth projekteve të përfunduara tërësisht në komunë.

spot_img

Most Popular

Recent Comments