Tuesday, April 20, 2021
spot_img
HomeKRYESOREHoti: Garantojmë transparencë të plotë të shpërndarjes së fondeve të rimëkëmbjes

Hoti: Garantojmë transparencë të plotë të shpërndarjes së fondeve të rimëkëmbjes

Kryeministri i Republikës së Kosovës, Avdullah Hoti ka kryesuar takimin e parë të Këshillit Kombëtar për Ekonomi dhe Investime, ku janë diskutuar hapat për harmonizimin e veprimeve të institucioneve shtetërore me sektorin privat dhe me partnerët e tjerë zhvillimorë që janë të përfshirë dhe që ndihmojnë në promovimin e investimeve dhe zhvillimin ekonomik të Kosovës.

Fjala e plotë e Kryeministrit Hoti: 

I nderuar zëvendëskryeministër, ministra, zëvendësministra, drejtorë të odave ekonomike,
I nderuar Guvernator, përfaqësues të shoqatave nga Asociacioni i Komunave,
Të gjithë ju që jeni prezentë,

Mirë se keni ardhur në mbledhjen e parë të Këshillit Kombëtar për Ekonomi dhe Investime!

Kjo është mbledhja e parë, në të cilën do të trajtojmë disa çështje në bazë të agjendës që e keni marrë. Unë dëshiroj t’ju falënderoj të gjithëve për prezencën sot, në këtë forum shumë të rëndësishëm, që është vazhdimësi e konsultimeve të rregullta që Qeveria ka pasur me sektorin privat dhe me të gjithë partnerët e përfshirë në zhvillim ekonomik dhe në investime në nivel të vendit.

Siç e keni parë ne e kemi riemërtuar dhe e kemi riorganizuar pak këtë Këshill, me qëllim që të fokusohemi në temat e rëndësishme për zhvillimin ekonomik, por, në veçanti, për t’u fokusuar nëpër këto procese të rëndësishme që po kalojmë tash si rezultat i pandemisë.

Unë dëshiroj të falënderoj BERZH-in dhe Zyrën Qendrore të BERZH-it, për mbështetjen që po na jep në këtë Këshill përmes ndihmës dhe mbështetjes në organizimin e Sekretariatit të këtij Këshilli, i cili është duke e bërë një punë shumë të mirë në mbledhjen e informatave dhe duke na mbajtur ne në linjë të komunikimit dhe të informuar gjatë gjithë kohës duke i mbledhur propozimet nga odat ekonomike, nga shoqatat, nga institucionet e ndryshme në mënyrë që të gjithë ne të jemi plotësisht të informuar për prioritetet, për zhvillimet për sfidat dhe në veçanti për sfidat që duhet t’i adresojmë së bashku.

Përmes këtij Këshilli unë besoj që do të vazhdojmë punën e mirë që është bërë edhe në të kaluarën, në mënyrë që të harmonizojmë veprimet e institucioneve shtetërore me sektorin privat dhe me partnerët e tjerë zhvillimorë që janë të përfshirë dhe që ndihmojnë në promovimin e investimeve dhe zhvillimit ekonomik të Kosovës. Kjo është tepër e rëndësishme, kur ne po përballemi tash me pasojat sociale dhe ekonomike të pandemisë.

Siç e dini e kemi si pjesë të Programit Qeverisës, e kemi paraparë edhe një pako të masave të Rimëkëmbjes Ekonomike. Unë e them me kënaqësi, sigurisht brenda kapaciteteve tona që i kemi si ekonomi dhe si Qeveri, që me rishikimin e buxhetit ne kemi formuar Fondin për Rimëkëmbje Ekonomike prej 365 milionë euro dhe në vendimin e Qeverisë të para një jave e kemi shpërndarë këtë fond nëpër masa të ndryshme, siç e keni parë.

Tash, në periudha afatshkurta që nënkupton menjëherë në javët dhe muajt e ardhshëm, duhet të punojmë bashkë me juve që të zbatojmë në praktikë, të implementojmë këtë pako të Rimëkëmbjes Ekonomike, përmes masave të ndryshme.

Siç e keni parë në vendimin e Qeverisë, në aneks tabelën ku janë të përshkruara të gjitha vendimet është i ndarë edhe roli i të gjitha institucioneve publike, por edhe i partnerëve zhvillimorë dhe i odave ekonomike.

Atë që dëshiroj t’ju garantoj është që do të jeni plotësisht të përfshirë në zbatimin në praktikë të pakos së Rimëkëmbjes Ekonomike. Çka nënkupton kjo? Kjo nënkupton që në secilën prej masave ministrat përkatës janë duke i bërë përgatitjet e nevojshme që nënkupton nxjerrjen e udhëzimeve, dokumenteve ose kritereve në bazë të cilave i shpërndajnë fondet për subvencionim të pagave ose për mbulim të normës së interesit, ose për subvencione të ndryshme, ndihmë të ndryshme në sektorë të ndryshëm.

Ju do të jeni të përfshirë edhe në përgatitjen e kritereve për shpërndarjen e këtyre fondeve, edhe në komisionet vlerësuese për shpërndarjen e atyre fondeve, sepse ne dëshirojmë të sigurohemi që duke qenë se janë para publike të shpërndahen në transparencë të plotë, por mbi të gjitha të shkojnë në vendin te kompanitë, në ndërmarrjet, të punëtorët ku japin efektin maksimal dhe askush më mirë sesa ju nuk i din nevojat e ekonomisë dhe nevojat e bizneseve.

Kjo është e para, e dyta, ne edhe ashtu kemi pasur në plan që në shtator të fillojmë draftimin e strategjisë të re zhvillimore për Kosovën, por tash jemi të nxitur dhe të shtyrë nga nevojat që kemi për të ofruar një  plan afatgjatë të rimëkëmbjes ekonomike, sepse është më se e qartë që ne do të përballemi me probleme të rimëkëmbjes ekonomike jo vetëm brenda këtij viti, por jam i sigurt komplet gjatë vitit të ardhshëm e ndoshta përtej saj, sepse kohëzgjatja e kësaj pandemie nuk është se ka krijuar disa vështirësi afatshkurtra të likuiditetit të bizneseve, por është e qartë që ka shkaktuar shkundje, trandje afatgjate të ekonomisë dhe të bizneseve nëpër sektorë të caktuar dhe ne tash duhet të kemi një qasje pak më afatgjate.

Çka nënkupton kjo për ne?. Nënkupton një strategji zhvillimore 5-vjeçare e cila neve na mundëson që të mobilizojmë siç kemi mobilizuar këto fonde nga buxheti dhe nga kreditë që kemi marrë deri më tash 365 milionë euro, deri në fund të vitit 2021 të arrijmë ta rrumbullakojmë atë pakon afatshkurtër të rimëkëmbjes që shkon në 1.2 miliardë, por të fokusohemi me një plan së paku 5 vjeçar që shkon deri në 6 miliardë euro ndihmë për ekonominë, që përfshinë edhe ndihmën e drejtpërdrejtë nga buxheti edhe përmes kredive shtetërore, edhe përmes garancioneve kreditore që duhet të lëshojë qeveria për investimet private edhe mobilizim i mjeteve të donatorëve e këtu në rend të parë nënkuptoj mjetet e Komisionit Evropian, që janë bukur të mëdha për të cilat veç jemi në procedura.

Unë pres që në javën e parë të tetorit të kemi Konferencën e donatorëve për Ballkanin Perëndimor, ku i vendosim përfundimisht projektet e mëdha infrastrukturore 6 vendet e Ballkanit Perëndimor përfshirë edhe Kosovën, disa prej projekteve që i lidhin më mirë këto vende, projekte infrastrukturore kryesisht por që krijojnë efekte multiplikuese në ekonomi, që shkojnë për Kosovën besoj deri në 700 milionë euro në periudha 5 vjeçare. Janë fondet e MCC-së për të cilat jemi gjithashtu duke i finalizuar në konsultim me tri ministritë e linjës projektet që do të financohen nga MCC në vitet në vijim dhe gjithashtu nga donatorë të tjerë. Unë jam konfident që gjatë muajve shtator-tetor do të arrijmë ta rrumbullakojmë këtë çështjen e strategjisë 5-vjeçare për të mobilizuar shumën prej rreth 6 miliardë euro në mbështetje të sektorit privat.

spot_img

Most Popular

Recent Comments