Fjala ime në Prekaz në shënimin e 40 vjetorit të rënies së Tahir e Nebih Mehës
40 vite më parë ishte koha e demonstratave dhe e grevave, e burgjeve politike dhe e veprimtarëve ilegalë. Por, ishte edhe koha e rezistencës së armatosur, e qëndresës për liri deri në vdekje – ishte koha e Tahir e Nebih Mehës. 40 vjet më vonë, ata na bënë bashkë, përsëri, këtu, në vendin e tyre të dashur që tash është vendi ynë i lirë.
I nderuari Kryetar i Komunës së Skënderajt, z. Bekim Jashari,
I nderuari nënkryetar i Komunës, gjeneral Nuredin Lushtaku,
I nderuari drejtor i Agjencisë për menaxhimin e komplekseve memoriale, z. Bislim Zogaj,
Të dashur ish luftëtarë të Ushtrisë Çirimtare të Kosovës,
Zonja dhe zotërinj,
Motra dhe vëllezër,
Të nderuar të pranishëm,
Para katër dekadave, një shtet e rrethoi një shtëpi. Tahir Mehën me familje i rrethoi një shtet federativ i përbërë nga gjashtë republika e dy krahina. Tahirin njëmend e vranë, por edhe nga Tahiri u vranë. Tahiri sot rron, na ka bërë neve bashkë këtu. Ata që e vranë Tahirin nuk rrojnë më as këtu, as gjëkundi tjetër. Janë harruar, edhe nëse janë përkujtuar ndonjëherë nga ndokush, kurse tash na kujtohen vetëm atëherë kur e kujtojmë dhe e përkujtojmë Tahirin tonë.
Prekazi nuk mund të mos e lindte Tahirin, e as Tahiri nuk mund të mos ishte nga Prekazi. Nga Ahmet Delia te Azem Bejta dhe Emin Lati, nga Shaban Polluzha e Hashim Lushtaku deri te Nebih e Tahir e Beqir Meha, përgjatë gjithë shekullit XX, Prekazi ishte përplot me luftëtarë trima e kryengritës të paepur. Andaj, disi natyrshëm edhe kulmimi i lëvizjes shqiptare në Kosovë për çlirim e bashkim, ndodh sërish në Prekaz, ngjan pikërisht në Prekaz, me Epopenë e UÇK-së, me flijimin e Jasharajve.
Prekazi ka qenë vendtakim i veprimtarëve që organizoheshin për mbarë kombin shqiptar – prej Hasan Prishtinës e Zejnullah Begut, që me 10 maj 1912 ishin në Kullën e Ahmet Delisë duke e përgatitur Kuvendin e Junikut, e deri te gjithë ata dëshmorë që para se të binin heroikisht në përballjen me forcat armike serbe vinin në Kullën e Bacës Shaban për të kuvenduar me Hamzën dhe Ademin.
Brezat e luftëtarëve tanë kanë bartur pishtarin e lirisë nga njëri te tjetri, gjeneratë pas gjenerate. Ata kanë mësuar nga vepra e të parëve, nga jeta e paraardhësve, dhe kanë vizituar varret e tyre, për të ndjekur rrugën e atyre me udhëzimet e tyre, para se të tjerë veprimtarë, më pas, të vizitojnë varret e këtyre.
E kanë përhapur idenë e idealin anekënd, me hapat e tyre në hapsirën e popullit. Kanë ecur, e duke ecur, kanë zgjeruar lëvizjen dhe e kanë shtrirë organizimin, anembanë. Kanë lëvizur nëpër popull deri sa e bënë popullin lëvizje. Kjo lidhje e brezave është koha si histori. Kjo ecje hapash është hapësira si territor. Trashëgohet ideja, trashëgohet ecja, trashëgohet pushka. Para 40 vjetësh, në varrimin e Tahir Mehës kanë marrë pjesë edhe Shaban, Hamëz e Adem Jashari.
E nderuara familje Meha,
Të dashur pjesëmarrës,
Lavdia u përket të gjithë atyre; obligimi – secilit prej nesh. Ata janë përplot lavdi. Ne jemi përplot përgjegjësi. Por, me ata në kujtesë dhe në zemër, ardhmëria është e jona.
Ju faleminderit.