Shqiptarët e Kosovës janë akoma komunitet - Nuk janë komb. Por do të bëhen komb

Në matematikën elementare studentët mësojnë për përkufizimet (definicionet). Definicionet mund të jepen lirshëm por duhet të kihet kujdes një gjë: Definicioni duhet me qenë i saktë dhe nuk guxon me qenë as i ngushtë as i gjërë. Këtë gjë si duket shkencat shoqërore e kanë problem.
Ja nje shembull nga shkencat e natyrës: skenderbeu

“Lejleku është një shpezë që fluturon” është përkufizim (definicion) i gjerë sepse edhe dallëndyshja është një shpezë që fluturon, por nuk është lejlek.
“Shtëpi quhet objekti i banimit që ka 2 kate”. Ky është një përkufizim (definicion) i ngushtë. E vërtetë se kjo që definova është shtëpi, por shtëpi mund të jetë edhe objekti banimit që ka vetëm një kat apo që ka edhe 3 apo 4 kate.
Tani definicioni i “Kombit” (”Nation”). Në boten akademike janë dhënë shumë definicione të gjëra e të ngushta për kombin. Ende nuk kam hasur në definicion të përpiktë e të formuluar me pak fjalë. Kjo natyrisht mbetet gjithëmonë ՟çështje debati mes studiuesve.
Ajo cfarë intelektualët tanë kanë parasyshë kur përmendet fjala komb është definicioni I Stalinit apo versioni I tij I përpunuar nga Eduard Kardeli. Ky është një definicion I ngushtë për kombin, shumë I thjeshtëzuar. Në të drejtën ndërkombëtare për kombe u referohen vetëm atyre kombeve që janë anëtare të Organizatës së Kombeve të Bashkuara. Në literaturën përendimore, në shqyrtimet akademike dhe mediale për kombe u referohen zakonisht kombeve evropiane, një pjese të kombeve afrikane e një pjese pak më të madhe të kombeve aziatike dhe kombit amerikan. Kështu p.sh. kur Presidenti Clinton ndodhet në Berlin ai në fjalimet e tij përmend fjalët “german nation” (kombi gjerman) por kur ai ndodhet në Namibi ai preferon të përdor “people of Namibia” (njerëzit apo populli I Namibisë) edhe pse Namibia ka statusin e kombit në marrëdhëniet ndërkombëtare.
Kështu kombin dikush e ka definuar si një realitet racional, ndërsa dikush tjetër si realitet emocional. Një tjetër e ka definuar kombin si realitet racional dhe emocional së bashku. Kombi është definuar edhe si vlere e vetme dhe konvergjente, identitet I vecantë. Apo është definuar si nje nga vlerat, divergjues dhe I shumëfishtë. Kombi si karakteristikë përjashtuse e një bashkësie humane në raport me të tjera bashkësi. Kombi si karakteristike perfshirëse, si një proces variabil, me karateristika të njëkohëshme përjashtuese-integruese. Kombet mund të dallohen edhe nga fakti mënyrës së lindjës së tyre; si projekt I dizajnuar apo aksident projektesh. Kombi po ashtu është një proces. Kombi është interes. Kombi është dashuri dhe sakrificë. Kombi është prodhues dhe konsumues vlerash shoqërore.
Per mua të gjitha këto definicione janë ose të gjëra ose të ngushta. Në Kosovë po përzihet debati akademik me atë politik. A mund të krijohet apo jo një komb i ri sot në Evropë është debat akademik.
A ta krijojmë apo jo kombin kosovar është një debat politik.
Shpeshherë intelektualët në politikë abuzojnë duke i përzier këto debate për qëllime thjeshtë politike. Si studiues mendoj se është i mundur krijimi i kombeve të reja në Evropë sado që Evropa po shkon drejt absolvimit të periudhës së kombeve dhe krijimit të superkombit evropian.
Sa i përket qendrimit tim politik, deri në vitin 1994 unë kam qenë partizan i “korigjimit historik”, dmth që kombi shqiptar të ndërtohet ashtu sic e kanë projektuar rilindasit shqiptarë (by design), por ketë qëndrim e kam ndryshuar gradualisht sapo realisht jam bërë pjesëtar i shoqërisë shqiptare (kur jam integruar në shoqërinë shqiptare, kur jam bërë profesor universiteti në Tirane, kur jam bërë kryeredaktor I njëres prej dy gazetave më të mëdha kombëtare të përditshme në Tiranë). Atëhere pra, kur jam integruar në shoqërinë shqiptare kam vërejtur dhe jam ndjerë ndryshe nga vëllezerit e mi kosovarë. Jamë ndjerë superior karshi kosovarëve. Me këtë rast vëllezerit e dashur kosovarë nuk I kam ndjerë si pjese e kombit tonë shqiptar (by accident). Nga ky pikëvështrim unë e kuptoja dhe e ndjeja dëshirën e kosovarëve të jenë pjesë e kombit (shoqërisë) shqiptar. Por unë ata nuk I ndjeja si pjesë e kombit. Unë shqiptari i lindur në Kosovë, i integruar në shoqërinë shqiptare nuk u njoh pjesë të kësaj shoqërie, pjesë të këtij kombi. E nuk e besoj se më shumë se kaq u njeh shqiptari i lindur e rritur në Delvinë, Vlorë etj.
Shqiptarët e Kosovës janë akoma pjesëtarë të një komuniteti që po përpëlitet të krijohet si shoqëri. Komunitet në rrugë e sipër për t’u organizuar si shoqëri, si komb. Le ta quajnë vetën si të si të dojnë, kosovarë, dardanë, shqiptaro-lindorë etj, por Prishtinasi e Tiranasi janë vetëm vëllezër të gjuhës e të gjakut por nuk janë pjesë e një shoqërie (kombit ) /by accident/.
Atë që kosovarët ngulmojnë se janë pjesë e shoqërisë shqiptare është vetëm një krizë kalimtare jo e identitetit kosovar në formim e sipër por e pafuqisë së tyre politike momentale për të realizuar vullnetin e tyre politik. Është shprehje e pasigurisë kosovare në hapat drejt krijimit si shoqëri, si komb.
Një ilustrim: Dy vëllezer bineq. Në moshen 5 vjecare njëri pëson aksident dhe futet 7 vite në spital ose burg. Tjetri vazhdon shkollën. Kur del nga spitali/burgu vëllau i aksidentuar nuk deshiron të shkojë në klasë të parë po në klasë të shtatë bashk me vëllaun e vet. Vëllau I thotë mëso abetaren njëherë, të ndihmoj. Ky thotë: jo jemi njësoj. O gjakun kemi njësoj se jemi vëllezer por ti duhet të mësosh abetaren. Ky: jo po me merr me vete se bashk jemi me të fuqishem, dua edhe unë të vij me ty në klasë të shtatë. More qërohu mos më merr në qafë edhe mua se nuk ta kam ngenë që të merrem me ty tani se kam hallet e mia, shoket e mi sërbi e bullgari kanë shkuar në shkollë të mesme, italiani e francezi në fakultet e unë në klasë të shtatë. Dhe prap …
Prof.Enver Hoxhaj u ka spjeguar studentëve: “Derisa një fshatar i Llapit e ndjen veten shqiptar dhe një fshatar I Vlores, në të njëjtën kohë e ndjen veten shqiptar, atëherë nuk ka komb kosovar”. Shkelqyeshem. Vërtet që ende nuk ka komb kosovar (ai është në lindje e sipër) por kjo nuk nënkupton se labi e llapjani I përkasin të njëjtit komb (shoqëri). Ata mund t’I përkasin të të njëjtit komb në një të ardhme por tani nuk I përkasin. Duhet shtuar edhe kete. Si e ndjejne njeri tjetrin keta dy fshatarë?. Fshatari I Llapit edhe mund ta ndjejë labin për shqiptar po Labi e njeh llapjanin për kosovar (vëlla vetëm të gjuhës e gjakut) e jo pjesëtar të shoqërisë (kombit) së tij.
Shpesh bëhet pyetja: Cili do të ishte interesi I qytetarëve të Kosoves që të krijohet Kombi Kosovar “ ?
Është po ai interes që është për krijimin e shtetit të Kosovës. Nuk mund të krijosh shtet pa u formësuar si komb. Kombi nuk bëhet vetëm me simbole edhe pse ato janë pjesë e procesit (madje pjesa më e dukshme e procesit). Kombi nuk bëhet vetem me deklarime e dashuri edhe pse kjo është pjesë përbërse e kombit.
Një student më ka bërë pyetjen se cfarë do të ishin pasojat nëse krijohet një “komb kosovar “ ?
Nuk mund të krijohet një komb nëse ai nuk është interes i ndokujt. Vetë kombi është interes. Cilat do t’ishin pasojat? Hm…
Pasojat do t’ishin që do të duhej me prodhu vlera shoqërore dhe jo vetëm me konsumu vlera. Shqiptarët e Kosovës janë më shumë konsumues vlerash shoqërore se sa prodhues. Kombi prodhon vlera.
Ja një shembull:
Standardi gjuhësor i vitit 1972 është një vlerë (nese është?!!, Po të pakten do të duhej të ishte) që është prodhuar në Tiranë e që Prishtina vetëm e ka konsumuar dhe atë me pak sukses.
Kundershtuesit e krijimit të kombit kosovar janë skeptikë në atë se shoqëria kosovare mund të prodhojë vlera. Janë skeptikë se shteti i Kosoves mund të funksionojë. Këtë e thonë para ndërkombëtarëve edhe Koshtunica e Drashkoviqi. Ata kanë bërë tendenca që Kosova të ndahet mes Serbisë e Shqipërisë. Por në Tiranë nuk kanë gjetur asnjë partner për këtë punë.
Ngjajshmëri të rastit Shqipëri-Kosovë ka që nga Indonezia e Malajzia e deri të Gjermania, Austria e Zvicra dhe në vetë Ballkanin: Rumani-Moldavi, Bullgari-Maqedoni, Serbi-Mali I Zi dhe Greqi-Qipro. Shembulli I fundit është shembulli më adekuat në një aspekt, por dallimi është se Greqia deri në ditet e sotme ka bërë politike irredentiste karshi Qipros. Dhe përkundër kësaj ka rezultuar: copëtimi i Qipros. Në rastin e Kosovës poashtu ka rrezik nga copëtimi, por jo ndarje mes Shqipërisë e Serbisë por Kosovë e pavarur pa një pjesë të saj apo Kosovë e copëtuar së brendëshmi. Kjo sepse Shqipëria kurrë nuk ka ndjekur politikë irredentiste me përjashtim kur ka qenë e detyruar nga Vjena, Roma e Berlini gjate dy luftërave botërore.
Dallimi qenësor është se Athinasi e ndjen qipriotin pjesëtar të kombit grek (perveç asaj si pjesëtar të etnisë greke). Tiranasi prishtinasin e ndjen vetem si vëlla të gjakut (si pjesëtar të etnisë shqiptare) po jo edhe si pjesëtar të kombit shqiptar.
Dhe sa i përket forces së integrimit në shoqërinë shqiptare kjo është mahnitese. Edhe pse e varfër Shqipëria i ka integruar (grekët, boshnjakët, bullgarët, vllehët, serbët etj më mirë se kushdo tjetër në Ballkan). Kjo është mahnitëse.
Propaguesit më të mëdhenjë kundër termit “Komb Kosovar” janë ata që thonë se edhe Rankoviqi ka thënë se shoqëria kosovare është e ndryshme prej asaj shqiptare. Unë këtë nuk e kam dëgjuar por le ta zëmë se Rankoviqi apo kushdo tjetër I sortës së tij të ketë thënë ashtu.
Nuk besoj se Rankoviqi të ketë ëndërruar që shqiptaret t’i kenë dy vota në Kombet e Bashkuara d.m.th. që nga etnia shqiptare të dalin dy kombe. Jam i bindur se Rankoviqi ka ëndërruar shfarosjen e gjysmës së etnisë shqiptare. Përpjekja e Rankoviqit për të evidencuar dallimet mes shqiptarëve mund të ketë qenë në ketë funksion, por pas “NATO 1999” ky rrezik nuk ekziston. Ekziston vetëm rreziku i vonimit të krijimit të kombit kosovar po jo edhe zhbërjës së gjysmës së etnisë shqiptare.
Shqiptarët janë një etni por mund të jenë dy a tri kombe nëse arrijnë të bëhen.
Dallimet krahinore janë tjeter gjë, dallimet e formimit kombëtar janë tjetër gjë. Në aspektin etnik shqiptarët nuk kanë vijë ndarëse (të gjithë e kanë origjinën në Malësitë e Veriut). Në aspektin krahinor katundari I Gjakovës është më I afërt me katundarin e Tropojës se me llapjanin, dhe tropojani është më I afërt me katundarin e Gjakovës se me labin. Në aspektin kombëtar shqiptarët e Kosovës jane akoma komunitet. Nuk janë komb. Por do të bëhen komb. Shoqëria shqiptare dhe ajo kosovare nuk janë një. Janë larg njëra tjetrës. Shoqëria shqiptare është nivel kombi. Ajo kosovare nuk është nivel kombi. Është nivel komuniteti akoma, por me kismet shoqëria kosovare do të arrijë nivel kombi. Sido që ky komb të quhet (kosovar, shqiptaro -lindor, dardan etj) nuk ka fort rëndesi. Më rëndësi është që ai do të jet komb, që do të prodhojë vlera dhe do të dijë t’I konsumojë ato, që do të ket flamurin e vet në Kombet e Bashkuara (cilido qoftë ai, me shqiponjë a me bubazhel). Duhet kuptuar se nuk kanë faj Tiranasit që kosovarët I shohin me përbuzje si vëllaun që ia kujton nivelin parashoqëror. Kosovaret do të bëhen komb me kismet prej Zotit sepse ky proces është i pakthyeshem. Kosovarët tani kanë jo krizë identiteti por krizë të fuqisë për realizimin e vullnetit politik, por kjo do të kalohet.
Dhe në fund çka është kombi? Cili është definicioni im për kombin?
Kombi është një bashkësi (komunitet) njerëzish e organizuar mbi bazën e interesit përmes procesesh si një shoqëri, një konstrukt politik i aftë për të ndërtuar shtet, i aftë për të prodhuar dhe konsumuar vlera, që e njeh vetvetën si të tillë dhe që është i njohur nga të tjerët si i tillë.

*Autori është analist politik, ka magjistruar Shkencat Politike –studimet për Ballkanin në Universitetin e Evropës Qendrore në Budapest në Qershor 1999.