Balotazhi – “beraja dhe raja”
November 30th, 2007Albert Prenkaj
Pothuajse në të gjitha komunat e Kosovës rezultatet për kryebashkiak në raundin e parë nuk treguan fitues. Ky sistem i zgjedhjeve për udhëheqësin e komunës ofron raundin e dytë/balotazhin në mes dy garuesve me numër më të madh të votave. Balotazhi, termin tashmë i njohur i zgjedhjeve, nxori në pah teshat e palara të shoqërisë kosovare.
Gjatë sistemit socialist, ashtu si në republikat tjera të RSFJ-së, edhe në Kosovë kanë ekzistuar të kamufluara ndarjet në baza të ndryshme. Aso kohe këto grupe na i paraqisnin si teknokrat, burokrat, etj. Na thuhej se janë të dëmshëm për shoqërinë. Këto fenomene më vonë u shndërruan në grupe të veçanta sociale, në baza të kamjes dhe/apo skamjes.
Me futjen në veprim të, nëse mund ta quaj, ‘sistem’ i funksionimit të shoqërisë të cilën disa sociolog kanë dëshirë ta quajnë ‘neoliberalizëm’, kujtoj se po ndodhë një regres në marrëdhënie ndërnjerëzore tek ne. Një vrojtim krahasimor me shoqëritë përreth, si: Shqipëri, Maqedoni, Mal të Zi, Serbi, vërehet se në Kosovë si dhe në vendet përreth, në disa zona të saj, në mes të komuniteteve janë izoluar relacione jo për lakmi. Edhe përkundër momentit historik që mobilizon masën rreth një ideje të përbashkët (pavarësia e Kosovës), zgjedhjet e fundit nxorën në pah mykun e njohur që nga periudha otomane. Në ato krahina të Kosovës ku nuk ka fërkime ndëretnike dalin në pah ndasitë tjera. Rrjeti i pamjaftueshëm dhe i kufizuar ligjor në Kosovë mundëson krijimin e shtresave me dallime ekstreme sociale.
Deformimi që tashmë po rrezikon të fitoj përmasa politike, ka zanafillën në organizimin e të hyrave financiare të Perandorisë Otomane, beraja e shehrit dhe raja që kryesisht jetonte në fshat. Kjo ndarje ka bartur me veti edhe ndjenjën e inferioritetit. Studiues të ndryshëm dhe vrojtues ditorë, potencimin e kësaj ndasie ja ndajshtojnë sunduesve/pushtuesve për të jetësuar moton: lt. “divide et impera”, apo sr. “zavadi pa zavladaj”, shq. “përçaj e sundo”.
Në Pejë e veçanërisht në Gjakovë, ndarja në baza tashmë të njohura, qytet-fshat ka marrë përmasa politike. Për të qenë ironia edhe më e madhe, në Gjakovë dy subjektet në balotazh, LDK (Haraqia) AAK (Leka) përpos ndarjes në “fshatar e qytetar”, rrezikojnë ta politizojnë ndarjen në baza fetare. Degradim.
Është interesant për të vënë në pah, si në Pejë ashtu dhe në Gjakovë ndarja fshat-qytet vërehet edhe në Qendrat e Votimit. Kandidatët nga qyteti nuk kanë marrë vota apo kanë marr numër tejet të vogël të votave në fshat, gjersa kandidatët nga fshati, për shkak të popullatës së ardhur, por dhe nga inercionet e ndryshme, morën vota në qytet.
Makinacionet zgjedhore para balotazhit të subjekteve politike, plasojnë në kuzhinën popullore informacione djallëzore, që në vazhdimësi ndotin eterin me mesazhe armiqësore-përjashtuese. Këto vetëm sa fusin vaj në zjarret klanore e krahinore të komuniteteve.
Kosova me 2 milion banor dhe 10.887 Km 2, dhe zonat e saja veç e veç, është tejet e vogël në gjeografinë rajonale, evropiane e le më botërore, për të gjeneruar mikro-politizime.
Jo për të kënaqur të huajt dhe standardet e vendosura nga ata, por për të ofruar kualitet dhe dinjitet në përditshmëri për secilin, qeverisja dhe pjesëmarrja në qeverisje përmes votës, por dhe në forma të tjera, duhet të jetë gjithëpërfshirëse, dhe assesi përjashtuese. Askush nuk duhet të frikësohet apo të ndjehet inferior nëse balotazhi sjellë fitimtar kandidatët nga qyteti apo nga fshati, mysliman apo i krishterë. Qytetarët nga fshati dhe ata në qytet, pa dallim feje, i kanë të drejtat e garantuara, të drejtat e barabarta qytetare me ligjet e Kosovës, ato ndërkombëtare, dhe me Kushtetutën.
Përjashtimi i njërit apo i tjetrit komunitet, konsiderohet kthim prapa. Demokraci do të thotë përfaqësim e jo përjashtim i përqindjes humbëse. Ajo i mundëson shoqërisë të zgjedh të preferuarin/en. Madhështia e fituesit qëndron në respektimin e humbësit dhe involvimin e tyre në qeverisje.
Doli humbës apo fitimtar, gjentelmen a burrë është ai që e zgjatë dorën kundërshtarit në fund të balotazhit.
Ai apo ajo duhet të jetë qeveritar/e i/e urtë për të gjithë.